Mediat e shoqëria civile diskutojnë për Lirinë e Shprehjes

Po mbahet konferenca e dytë e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë lidhur me lirinë e mediave dhe standardet profesionale në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile në Kosovë.

Gjatë kësaj konference, përveç lirisë së medias, do të diskutohet edhe rreth relacionit të medias së re dhe asaj tradicionale.

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, duke folur për lirinë e shprehjes në Kosovë, tha se ajo ekziston.

“Nëse më pyetni a ka liri të shprehjes në Kosovë u them me plot gojë që po, ka liri të shprehjes në Kosovë. Mirëpo problemi nuk është tek liria e shprehjes, problemi qëndron te liria pas shprehjes”, tha Bajrami.

Ndërsa Furtuna Sheremeti, udhëheqëse e Zyrës Ligjore në BIRN, shprehu qëndrimin e saj se gjendja kaotike e mediave është reflektim i gjendjes kaotike të sistemit.

Megjithatë ajo tha se duhet të bërë atë që është e mundur me ato mjete që janë në dispozicion.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë kornizën ligjore me të cilën disponojmë me aq sa mundemi. Duke u bazuar në këtë kornizë, BIRN për herë të parë në historinë e sistemit ka paditur dy institucione publike – Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Zyrën e Kryeministrit të Kosovës në nëntor 2012. 3 vite pas më në fund na është caktuar seanca dëgjimore, andaj keni parasysh që durimi shpaguhet dhe sistemi ligjor duhet të shfrytëzohet”, u shpreh Sheremeti.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani, rikujtoi se Kosova radhitet në pjesën e shteteve ‘pjesërisht të lira’ dhe në akseptin gazetaresk.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e tij në lidhje me numrin e madh të rasteve të kërcënimeve të raportuara ndaj gazetarëve i cili numër, sipas tij, po vjen duke u rritur.

“Kjo është shqetësuese”, tha Shabani.

Budimir Nicic dhe Imer Mushkolaj përfunduan diskutimin e panelit të parë duke reflektuar gjithashtu mbi gjendjen e ndjeshme dhe problematike të medias në Kosovë.