fbpx
policia e kosoves, prokuroria speciale, ipk, kosova, turqia

Dhjetra policë ndiqen penalisht për dëbimin e shtetasve turq

Inspektorati i Policisë së Kosovës me kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar 22 kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ekrem Lutfiu, zyrtar për media nga Prokurorinë e Shtetit.

Ndërsa, Inspektorati i Policisë së Kosovës lidhur me kallëzimet penale që ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk ka dhënë detaje se për çfarë profile të policisë së Kosovës bëhet fjalë në këto kallëzime penale, por se në një përgjigje me shkrim për REL sqaron se “Inspektorati lidhur me ketë rast ka vepruar duke u bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, lidhur me rastin e dëbimit të shtetasve turq nga Republika e Kosovës për në Turqi, bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës”, thuhet pos tjerash në përgjigje.

Anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Kosovës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, Sami Kurteshi, tha për REL se i gjithë procesi i lidhur me rastin e njohur si “Gylenistët” duhet të shkojë deri në fund dhe të zbardhet si rast.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që mekanizmat e drejtësisë të merren seriozisht me rastin.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq. Komisioni ka gjetur shkelje në secilën fazë, që nga revokimi i lejeve të qëndrimit për 6 shtetasit turq e deri te largimi i tyre nga Kosova.

Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.