Ballina / KOSOVA / Me 89 vota pro Thaçi fitoi autorizimin për MV
kuvendi dialogu marreveshja protesta

Me 89 vota pro Thaçi fitoi autorizimin për MV

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës përfundoi me një votim të shpejt e të mbajtur në kushte të jashtëzakonshme, i shoqëruar me kërkesën e vazhdueshme të Vetëvendosjes që të mos votohet .

Megjithatë, me 89 vota pro Marrëveshjes dhe vetëm 5 kundër e një abstenim, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi fitoi autorizimin e Parlamentit të Kosovës për formalizimin e nënshkrimit të marrveveshjes Kosovë – Serbi.

Në seancën e sotme siç dihet temë e vetme e diskutimit ishte Marrëveshja e datës 19 Prill 2013 , e arritur në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë me lehtësimin e BE-së. Koalicioni qeverisës ka arritur në kundërshtime të ashpra nga Vetëvendosje, që ka refuzuar t’i japë autorizimin Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, që të formalizojë nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të dalë nga dialogu Kosovë – Serbi.

Sipas Kryeministrit Hashim Thaçi pas formalizimit të nënshkrimit në Bruksel, Marrëveshjen do ta ratifikojë edhe Kuvendi i Kosovës.

Votimi me 89 vota për u bë përkundër protestës së deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje që edhe gjatë votimit mbanin në duar parulla kundër marrëveshjes.

Pas disa ndërprerjesh të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputetët votuan diku rreth orës një pas mesnate (22 prill 2013).

Grupet Parlamentare të LDK-së, AAK-së, AKR-së, SLS-së dhe grupet e tjera minoritare janë shprehur pro marrëveshjes, kurse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është shprehur kundër saj, madje ka kërkuar ‘që duhet të ngritet një komision që do të hetonte bisedimet e zhvilluara deri tash’. Fjalimin e Albin Kurtit mund ta lexoni këtu.

Pas aprovimit nga Kuvendi, sot, marrëveshja është miratuar edhe nga qeveria e Kosovës.

Me pëlqimin e kësaj marrëveshje, institucionet e Kosovës pritet t’i dërgojnë Rezolutën e Kuvendit, e cila aprovoi Marrëveshjen, shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashtone, e cila më pas do të ia paraqes këshillit të Ministrave të BE-së vendimin e Kosovës për miratimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq.

 

Ndërpritet përsëri seanca

21 / 04 / 2013, 23:34

Eshtë ndërprerë  për të dytën herë  seanca e Kuvendit të Kosovës.

Deri te ndërprerja erdhi kur Vetëvendosje përsëri ka lëshuar në sfont incizimin tonik të skandalit “Pronto”.

Edhe përkundër kësaj, kryeministri Hashim Thaci ka vazhduar fjalën e tij . Ai ka ftuar deputetët të votojnë.

LDK e AAK kanë thënë se s’ka kushte për punë prandaj duhet të  nderprehet seanca. Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi këtë herë ka kërkuar një orë pauzë./infoGLOBI/

Fillon seanca

21 / 04 / 2013, 23:27

Ka filluar seanca e Kuvendit megjithatë prap Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar audio aferën “pronto”.

Vetëvendosje vazhdon të mbaj pankartën “Kosova e Hashimit”. “Vetëvendosja nuk mund ta imponojë demokracinë” u shpreh Jakup Krasniqi. Seanca ka filluar pas 10 minutash pauzë.

VV në protestë para Kuvendit

21 / 04 / 2013, 23:25

Pas thirrjes së disa aktivistëve që të dalin te Kuvendi i Kosovës, thirrje këto që i bënë gjatë kohës sa zgjaste Seanca e Kuvendit të Kosovës disa aktivistë të Vetëvendosjes, disa qindëra aktivistë tanimë janë mbledhur tek Kuvendi dhe po protestojnë.

Protesta po mbahet kundër Marrëveshjes Kosovë – Serbi të arritur në nivel Kryeministrash më 19 Prill në Bruksel.

Ndërpritet seanca!

21 / 04 / 2013, 23:07

Është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës, pak sekonda pasi ka filluar të flas kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ishin ata që në momentin kur filloi të flas kryeministri kanë rikujtuar skandalin “pronto”, duke lëshuar audio bisedat e deputetëve.

Seanca me kërkesë të kryeparlamentarit Jakup Kransiqi  është ndërprerë, ndërsa pritet të vazhdojë pasi të qetësohet situata.

Vetëvendosje kërkon hetime, Krasniqi plotësim të MV

21 / 04 / 2013, 21:30

Prishtinë: ” Se duhet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë kjo është e kuptueshme. Se a është arritur marrëveshje historike këtë do ta shohim”, ka thënë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kurse Albin Kurti lideri i Vetëvendosjes ka kërkuar që i gjithë procesi i bisedimeve të hetohet.

“Nëse MV është mes shteteve të pavarura Kuvendi duhet ta ratifikojë sepse këtë e parasheh Kushtetuta”, ka deklaruar kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet Marrëveshja e dy kryeministrave të datës 19 Prill të arritur në Bruksel dhe ku deputetët duhet të vendosin se a do t’i japin autorizimin Kryeministrit Hashim Thaçi që të formalizojë nënshkrimin e saj.

“Koha do të tregojë nëse Serbia me këtë MV e ka njohur Kosovën si po thonë qeveritarët”, ka thënë Krasniqi. “Këto kërkesa do të duhej të ishin reciproke. Pse ajo që vlenë për serbët në Kosovë, nuk vlenë për shqiptarët në Serbi”, ka pyetur Krasniqi.

Si është konceptuar kjo marrëveshje ajo është largim nga koncepti qytetar. Eshtë thënë se bisedimet do të përmbyllen me një Traktat Paqe, por nuk ka ndodhur ashtu. Këto bisedime janë zhvilluar në mjegull , është shprehur mes tjerash Krasniqi, sipas të cilit ” dokumenti që e kemi përpara është më pak se gjysmak dhe po lë të hapura çështje të ndryshme”.

Kur të detajizohet ndoshta do ta kuptojmë por, atëherë do të jetë vonë, ka theksuar ai dhe ka shtuar se marrëveshja nuk lë hapësirë për integrimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë dhe një gjë e tillë madje  ‘po kundërshtohet fuqishëm edhe nga vetë bashëbiseduesi i Thaçit, Daçiqi’.

Kjo MV nuk është ndërshtetërore por për punë të brendshme të Kosovës. Pra nuk është marrëveshje, por vetëm emrin e ka të tillë, ka thënë mes tjerash Krasniqi .

Grupet Parlamentare të LDK-së, AAK-së, AKR-së, SLS-së dhe grupet e tjera minoritare janë shprehur pro marrëveshjes, kurse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është shprehur kundër saj, madje ka kërkuar ‘që duhet të ngritet një komision që do të hetonte bisedimet e zhvilluara deri tash’.

VV ka ftuar deputetët që Rezoluta , pra të mos pranohet marrëveshja dhe që Thaçit mos t’i jipet autorizimi për formalizimin e nënshkrimit të marrëveshjes./infoglobi

Thaçi kërkon autorizimin e Kuvendit për nënshkrim

21 / 04 / 2013, 19:44

Prishtinë: Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës autorizimin që ta formalizojë nënshkrimin e Marrëveshjes së arritur me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daciç më 19 Prill në Bruksel.

“Këtë marrëveshje pasi ta nënshkruaj, do ta ratifikoni edhe ju në Kuvend’ u është drejtuar pjesëmarrësve në Kuvend Thaçi.

Ai ka përshkruar rrethanat e arritjes së Marrëveshjes që doli si rezultat i dialogut dy vjeçar mes Kosovës e Serbisë dhe më pas ftoi edhe banorët e Kosovës në veri “që të mos frikësohen dhe të mos bien pre e atyre që e mbajtën peng plotë 14 vjet ardhmërinë e tyre’.

“Marrëveshja është më e mira e mundshme dhe ajo do të ju sjell zhvillim e investime, si dhe mundësi për punësim” ka porositur komunitetin serb në veri të Kosovës.

Pas kësaj në prezencën e thuaja gjithë korit diplomatik ndërkombëtar prezent në Kosovë, Kryeministri Thaçi ka lexuar të gjitha pikat e Marrëveshjes së arritur të premtën në Bruksel, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton dhe ka dhënë shpjegimin për arësyet pse i ka pranuar ato. /infoglobi

Zyrtarisht: Kjo është Marrëveshja
21 / 04 / 2013, 19:53

Në seancën e jashëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Hashim Thaci ka kërkuar autorizimin e deputeteve që të formalizojë nënshkrimin e Marrëveshjes së arritur të premtën në Bruksel

Ai më pas ka lexuar të 15 pikat e Marrëveshjes për parimet themelore për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, të cilën si ka theksuar Thaci, pas nënshkrimit të tij do ta ratifikojë edhe vetë Kuvendi.

Më poshtë është teksti i Marrëveshjes, të cilën Thaçi e cilësoi ‘historike për Kosovën dhe rajonin’ .

1.Do të ketë një Asociacion/Bashkësi komunash me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për secilën komunë tjetër, nëse pajtohen anëtaret aktuale.

2. Asociacioni/Bashkësia do të krijohet me statut. Shpërbërja mund të bëhet vetëm me vendimin e komunave pjesemarrese. Garancionet ligjore do të jepen me ligjin përkatës dhe ligjin kushtetues (duke përfshirë shumicën prej 2/3)

3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohet në bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe do të ketë presidentin, zv/presidentin, kuvendi dhe këshillin.

4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje lokale dhe ligji kosovar komunat pjesëmarrëse duhet do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë për të zbatuar fuqitë e tyre bashkërisht në krejt Asocicaionin. Asociacioni/Bashkësa do të ketë mbikëqyrje/kontroll për zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.

5. Asociacioni/Bashkësia do të ketë të tjera kompetenca që mund t’i delegohen nga pushteti qendror.

6. Asociacioni/Bashkësia duhet të ketë një përfaqësues në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim të ketë një ulëse në Këshillin konsultativ për komunitete. Për realizim parashikohet një funksion monitorues.

7. Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t’i marrin vetëm nga Policia e Kosovës.

8. Pjesëtarëve të strukturave të tjera të sigurisë serbe do t’iu ofrohet një që t’i bashkangjiten strukturave kosovare.

9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Komandanti i këtij rajoni duhet të jetë serb shtetas i Kosovës i nominuar nga Ministria e Brendshme nga një listë e dhënë nga 4 kryetarët e këtyre komunave në emër të Asociacionit.Do te kete komandant tjeter rajonal per jug te Mitrovices, Vushtrri e Skenderaj.

10. Sistemi i drejtësisë do të integrohet në kornizën ligjore të Kosovës dhe do të operoj brenda kësaj kornize. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formojë një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serb të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat që kanë shumicë serbe.  Një njësit i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqtarët, do të vendoset në Mitrovicën veriore, (Gjykata e Qarkut e Mitrovicë). Secili panel i divizionit të lartshënuar, do të jetë i përbërë me një shumicë të gjyqtarëve serbë të Kosovës. Gjykatësit përkatës, do vendosin varësisht nga natyra e rastit në të cilin janë përfshirë.

11. Zgjedhjet komunale do të organizohen në komunat veriore në vitin 2013, me lehtësimin e OSBE-së, në koordinim me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

12. Nje plan zbatimi i cili perfshine edhe aftin kohor deri me 26 prill qe do te monitoroje zbatimin e Marreveshjes

13. Diskutimet për energji dhe telekomikacion dhe personat e zhdukur do të intensifikohen dhe duhet të përfundohen para 15 qershorit.

14. Palët janë pajtuar që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët që të bllokojnë palën tjetër në rrugën drejtë BE-së.

15. Një komisioni i zbatimit do të themelohet nga të dyja palët, me lehtësimin e BE-së.

Tesktin e Marrëveshjes së dialogut mes Kosovës e Serbisë, dialog ky i zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, baroneshës Catherine Ashton, mund ta gjeni këtu:

Marrëveshja verzioni shqip

Marrëveshja verzioni anglisht

@infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.