fbpx

McCain: Shtetet e Bashkuara të përkushtuara për Kosovën

Senatori amerikan, John McCain, tha sot se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj evropiane. Ai vlerësoi lartë angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

McCain i bëri këto komente në Prishtinë, ku është takuar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Për nder të tij, parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne .

“Gjatë udhëtimit tim në rajonin e Evropës Jug-lindore, mesazhi im është i thjeshtë :  Angazhimi i ShBA për Evropën e lirë dhe në paqe mbetet e hekurt, e një Kosovë e pavarur, e fortë demokratike dhe shumë etnike si një anëtar i plotë i familjes evropiane, është thelbësor për suksesin e atij vizioni”.

Keshtu tha senatori McCain duke nënvizuar se pavarësisht mosmarrëveshjeve herë pas here në Washington, mbështetja amerikane ka qenë gjithmonë dypartiake për Kosovën që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta.

Por dua që ju të dini, seriozisht dua që ju ta dini se anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga të dyja partitë politike janë plotësisht të angazhuara që të punojnë me ju për të mbështetur paqen dhe begatinë në Kosovë dhe në tërë rajonin”, tha ai.

Ende ka punë për tu bërë
Senatori McCain, i cili tha se po qëndron në Kosovë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së saj, vlerësoi arritjet e saj. Ai nënvizoi se ka ende punë për tu bërë dhe për këtë Kosova nuk do të mbetet pa mbështetje. McCain përgëzoi institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të luftuar terrorizmin.

“Besoj se vendi juaj nuk ka marr vlerësimin e merituar për qasjen aktive që është ndërmarrë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Legjislacioni i miratuar nga ky parlament ka ndihmuar në uljen e numrit të ushtarëve të huaj në rrugën e tyre drejt zonave të konfliktit”.

Demarkacioni – hap i rëndësishëm
Ai shtoi se ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe liberalizimi i vizave do të ishte një hap i rëndësishëm drejt rrugës evropiane të Kosovës. Sipas McCain “korrupsioni dhe krimi i organizuar do ta kthejnë mbrapa Kosovën”. Poashtu ai theksoi se reformat në sundimin e ligjit janë të rëndësishme për mundësitë ekonomike të Kosovës.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin sigurinë në Kosovë dhe sipas është shumë e rëndësishme që shndërrimi i Forcës së Sigurisë në ushtri të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Përparimi i Kosovës varet nga dialogu me Serbinë
Senatori McCain tha se beson që e ardhmja paqësore dhe përparimi i Kosovës varet nga suksesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Mesazhi im për ju është i njëjtë me atë që i transmetova edhe kryeministrit serb Vuçiç në fillim të kësaj jave. Çuarja përpara e dialogut të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe nga ShBA është në interesin e Kosovës dhe serbëve. Është jetike për Kosovën dhe Serbinë të ndajnë tiparin evropian. Kjo eshtë thelbësore për qëndrueshmërinë në Evropën juglindore”, tha senatori McCain duke nënvizuar se një pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sado i vështirë, është i mundur.

“Por le të jetë Kosova vendi që i tregon përsëri botës se pajtimi është i mundur. Dhe duke e bërë këtë, duke ecur në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë, ju nuk do të ecni vetëm. Amerika dhe unë do të jemi me ju. Po, ne do të jemi me ju dhe me vendet e Evropës Juglindore për arsyen e thjeshtë:… sepse nëse vendi im e lë vetëm këtë rajon, atëherë e lë veten në rrezik, tha senatori McCain.

Lexo edhe: Vuçiq Gabrielit: “Tango nuk kёrcehet vetёm”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.