Ballina / Kulturë / Mbretëria e parë ilire , dinastia e Bardhylit
mbretëria e parë ilire ,dinastia e bardhylit

Mbretëria e parë ilire , dinastia e Bardhylit

Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë.

Në këtë luftë mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca

Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit të Amyntës II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve.

Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua paguante atyre.

Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara. Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë.

Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët.
Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin.

Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. Është supozuar se Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën. Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”.

Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër Maqedonisë.

Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire

Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar rrezikun trak e paion.
I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës.

Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në krye, – shkruan Diodori, – fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më shumë u plagosën”.

Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë.

Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur më lart.

Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë kohë duhet të ketë vdekur.

Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe.

Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë. Ka të ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.

@Fluidi

Provo po ashtu

JOHN SELLARS

Si të jetoni më të lumtur si një stoik

Filozofia na ndihmon që të kuptojmë botën më mirë, të pranojmë idetë e tjera, të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.