Ballina / OP./INTERVISTA / Mbi individualizmin amerikan
Mbi individualizmin amerikan

Mbi individualizmin amerikan

Në vitin 1921, Herbert Hoover, në atë kohë Sekretar i Tregtisë i SHBA, vendosi që të parashtrojë, bazuar në eksperiencat e tij, një kuptim të eksperimentit amerikan. Rezultati ishte libri i vitit 1922, “Individualizmi Amerikan”. Më poshtë, një pjesë e shkurtër nga ky libër.

Shkruan: HERBERT HOOVER

Individualizmi ka qenë forca parësore e qytetërimit amerikan për tre shekuj. Është lloji ynë i individualizmit, që ka motivuar institucionet politike, ekonomike dhe shpirtërore të Amerikës gjatë gjithë këtyre viteve. Ai ka dëshmuar aftësinë e tij, për të zhvilluar institucionet ndërkohë që skena ndryshon. Forma jonë e qeverisjes është produkt i individualizmit të popullit tonë, kërkesës për një mundësi të barabartë, për një shans të drejtë.

Pionieri amerikan është shprehja epike e këtij individualizmi, dhe shpirti i pionierit është reagimi ndaj sfidës së shanseve, sfiës së natyrës, sfidës së jetës, thirrjes së kufirit. Ai shpirt nuk duhet të vdesë kurrë, prej mungesës së diçkaje që duhet arritur. Do të ketë gjithmonë një kufi të ri për të arritur, apo për t’u mbajtur fort, sa kohë që njerëzit mendojnë, planifikojnë dhe guxojnë. Individualizmi ynë amerikan e ka marrë një pjesë të madhe të karakterit të tij, prej kontaktit tonë me forcat e natyrës në një kontinent të ri. Ai zhvilloi qeverisjen, pa emisarë zyrtarë si udhërrëfyes; plugoi dhe “mbolli” shtete të reja; ndërtoi rrugë, ura, hekurudha, qytete; përhapi të gjithë tiparet e qytetërimit të lartë në një kontinent të ri. Ditët e pionierëve nuk kanë marrë fund.

Ka kontinente të mirëqenies njerëzore, në të cilët ne kemi penetruar vetëm në brigje. Kontinenti i madh i shkencës është eksploruar vetëm në kufijtë e tij, dhe janë vetëm pionierët që do të penetrojnë kufijtë, në kërkim të botëve të reja për të pushtuar. gjenialiteti që kanë, u është dhënë institucioneve tona prej frymës së pionierit. Individualizmi ynë i ka rrënjët në natyrën tonë. Eshtë ngritur mbi bindjen e bazuar në eksperiencë. Shanse të barabarta, kërkesa për një shans të drejtë, u bë formula e individualizmit amerikan, sepse është metoda e arritjeve të amerikanëve.

Pas thithjes së rrafshinave të mëdha të Perëndimit erdhi epoka e zhvillimit industrial, bashkë me kompleksin e ri të forcave që ai na ka sjellë. Tani, me më shumë siguri dhe saktësi se kurrë më parë, si dhe me një kuptim më të vetëdijshëm të misionit tonë, ne po gjejmë zgjidhje të këtyre problemeve që dalin nga kushtet e reja, sepse forcat e sistemit tonë shoqëror mund të qarkojnë dhe brendësojnë ato.

Individualizmi ynë nuk është një rrugë e mesme mes autokracisë – qoftë origjinës së lindjes, ekonomisë apo origjinës së klasës. Socializmi i varieteteve të ndryshme mund të ketë diçka për të rekomanduar, vetëm si një shenjë “ndalu-shiko-dhe dëgjo” për intelektualët, veçanërisht për shoqëritë e Botës së Vjetër. Por ai përmban vetëm shkatërrim për forcat që sjellin progresin në sistemin tonë shoqëror. Po kështu, shpëtimi nuk vjen nga asnjë përqëndrim i pushtetit, qoftë ky ekonomik apo politik, pasi të dy janë njësoj kthim mbrapa në autokracitë e Botës së Vjetër, por me veshje të reja.

Shpëtimi nuk do të na vijë nga rrënojat e individualizmit. Ajo për të cilën kemi nevojë sot, është një përkushtim ndaj një individualizmi më të mirë, më të ndriçuar, më të gjerë – një individualizëm që mbart përgjegjshmëri më të madhe dhe më shumë shërbim për njerëzit tanë.

Nuk kemi nevojë për një rrugëdalje, kemi nevojë për një rrugë për të ecur përpara. Ne e gjetëm rrugëdaljen tonë tre shekuj më parë, kur stërgjyshërit tanë lanë Evropën për të ardhur në këta brigje, për të krijuar këtu një komonuelth në liri, i cili do i përkushtohej zhvillimit të individualitetit.

Ka forca të këqia sociale, përtej dështimeve tona, që do të shkatërronin progresin tonë. Ka rreziqe, reaksioni dhe radikalizmi. Piskama e përhershme e radikalizmit, është se ai është zëri i vetëm i liberalizmit – se përkushtimi ndaj progresit shoqëror është terren vetëm i tiji. Këta njerëz pretendojnë se gjithë reformat dhe përparimi njerëzor, duhet të vijnë prej qeverisë. Ata kanë harruar se progrsi duhet të vijë nga ngritja e vazhdueshme e individit, dhe se matësi më i mirë i idealizmit dhe progresit kombëtar, është cilësia e idealizmit tek individi. Mbështetja më e madhe për radikalizmin vjen nga mendjet e pandershme, që nuk përballen me rezultatet e vetë radikalizmit, por i përkushtohen mbrojtjes së radikalizmit, si provë e një mendje liberale. Shumica e teoricienëve që denoncojnë individualizmin tonë si një themel shoqëror, duket se kanë një pasion për paditurinë ndaj idealeve konstruktive të tij.

Një rrezik gjithmonë e më i madh është kriticizmi shkatërrimtar i mendjeve që janë shumë të dobëta, apo shumë partiake, për të “strehuar” ide konstruktive. Për to, kriticizmi bazohet në shtrembërimin e perspektivës apo keqinterpretimin djallëzor. Nuk ka kurrë rrezik nga vetë radikali, deri kur struktura dhe vetëbesimi i shoqërisë dëmtohen prej kurorëzimit të kriticizmit shkatërrimtar. Ky i fundit sigurisht që mund të çojë në revolucion, nëse nuk ka nga ata që janë të gatshëm t’i rezistojnë të keqes, e cila buron prej përgënjeshtrimit të tij. Eshtë thënë, me të drejtë, se revolucioni nuk është stuhi në mes të verës, që pastron atmosferën. Në shoqërinë moderne, ai është një tornado, që lë pas shtëpitë e shkatërruara të miliona njerëzve, me gra dhe fëmijë të vdekur.

Ka gjithashtu nga ata që këmbëngulin se e ardhmja duhet të jetë një përsëritje e të kaluarës; se idetë janë të rrezikshme, se idealet janë sajesa fanatikësh. Të gjejmë atë ekuilibër të fortë mes të ardhmes dhe të kaluarës, vizioni i të cilës është i njerëzve dhe jo i veglave, që zotëron kurajën për të ndërtuar, dhe jo kritikuar – kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Nuk ka oratori më të kollajtë, shkrime më të mprehta dhe të gjalla, se sa ndërtimi i frazave të kriticizmit dhe ligësisë – nuk ka gjë më të vështirë, se sa gjetja e frymëzimit për të ndërtuar.

Ne kurrë nuk mund të lejojmë të rrimë të qetë, nën supozimin e rehatshëm që idetë e drejta gjithmonë mbizotërojnë prej vetë virtytit që kanë. Në afat të gjatë, kështu ndodh, sigurisht. Por mund të ketë dhe ka patur periudha, kur bota u rrëzua përsëri drejt errësirës, vetëm për shkak se masat e mëdha të njerëzve mbartën me ide të gabuara dhe përqafuan filozofi shoqërore të gabuar. Rëniet e qytetërimit kanë ardhur prej ideve të gabuara. Shumica e luftërave të botës, përfshirë atë të fundit, janë luftuar nga mbrojtësit e ideve të kundërta të filozofisë sociale.

Mbrojtja kryesore e individualizmit amerikan është një kuptim i tij; një kuptim i besimit se është zotërimi më i çmuar i qytetërimit amerikan, dhe një gatishmëri për të testuar me kurajë, çdo proces të jetës kombëtare, mbi gurin e themelit, të kësaj premise themelore shoqërore. Zhvillimi i institucioneve njerëzore dhe i shkencës e industrisë, kanë qenë zinxhirë të gjatë të provave dhe gabimve. Marrëdhëniet tona publike me ta dhe me fazat e tjera të jetës sonë kombëtare, mund të çohen përpara, vetëm përmes gatishmërisë për të eksperimentuar, në korrigjimin e gabimeve tona shoqërore. Dështimet dhe problemet e pazgjidhura të jetës ekonomike dhe sociale mund të korrigjohen; ato mund të zgjidhen brenda temës sonë shoqërore, dhe në asnjë sistem tjetër. Zgjidhja është çështje e vullnetit për të gjetur zgjidhje; e ndjenjës së detyrës, si dhe ndjenjës së të drejtës dhe shtetësisë. Askush që blen uiski kontrabandë, nuk mund të ankohet për banditët e armatosur dhe kontrabandistët.

Njerëzimi ka një rrugë të gjatë për të bërë, drejt përsosmërisë, por ne në Amerikë mund të sigurojmë progresin, nëse ruajmë dhe mbrojmë individualizmin tonë, nëse ruajmë dhe stimulojmë iniciativën e njerëzve tanë, nëse mbrojmë barazinë e shanseve, nëse glorifikojmë shërbimin, si pjesë e karakterit tonë kombëtar. Progresi do të marshojë, nëse ne ruajmë besimin tek inteligjenca, iniciativa, karakteri, kuraja dhe prekja hyjnore e individit. Ne mund t’i ruajmë këto mjete, nëse i japim secilit individ, atë shans mbi të cilin ngrihet shpirti i Amerikës. Ne mund të bëjmë një sistem social aq të përsosur sa e meriton brezi ynë, një që do të pritet me mirënjohje prej fëmijëve tanë.

/Shkëputur nga libri “Individualizmi amerikan”, me autor Herbert Hoover. Sjellë në shqip nga Bota.al

@Fluidi

Provo po ashtu

A sjell paqe ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi

A sjell paqe ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi

Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi mund të sjellë shumë debate, por nuk ka nevojë të hapë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.