Policia në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara tha se mbi 20 veta janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Personi i armatosur ka hapur zjarr nga kati i 32-të i Hotelit Mandalay Bay, drejt një festivali të muzikës që po mbahej pranë.
Policia tha se i dyshuari, i identifikuar si banor vendas, është qëlluar dhe vrarë nga oficerët.
Policia po ashtu tha se është vënë në kërkim të një personi tjetër, që ka udhëtuar me të dyshuarin.
Videot e postuara në mediat sociale tregojnë turma njerëzish duke ikur nga vendi i ngjarjes, derisa dëgjohet zhurma e armës automatike.
Ka pasur raporte edhe për incidente të tjera në lokacione të ndryshme përgjatë shiritit të Las Vegasit, por policia tha se beson se i dyshuari i vrarë ka vepruar i vetëm.
Një zëdhënëse e spitalit tha se 14 të plagosur janë në gjendje kritike.
Shumë hotele pranë vendit të incidentit në Las Vegas mbeten të mbyllura.
Disa fluturime u devijuan po ashtu.