fbpx
euro deklarimi

Mbesin pa punë 60 punëtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimit

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka paralajmëruar dhjetëra punëtorë se nuk do t’ua vazhdojë kontratat në vitin 2021. Në dokumentet që ka siguruar KOHA nuk përmenden arsyet e këtyre shkurtimeve, e as nëse ka pasur raporte vlerësuese për punëtorët. Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, zyrtarët e Byrosë kanë përmendur krizën financiare si pasojë e pandemisë COVID-19.

Afro 60 punëtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve janë paralajmëruar se nuk do t’u vazhdohet kontrata në vitin e ardhshëm. Derisa në dokument nuk tregohen arsyet për këtë shkurtim të stafit, zyrtarët e BKS-së kanë përmendur vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia me COVID-19.

“Ky njoftim bëhet në bazë të dispozitës ligjore të nenit 71 par. 2 të Ligjit Nr. 03/L – 212 i Punës, me të cilin përcaktohet se ‘Punëdhënësi, i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar duhet të informojë të punësuarin së paku tridhjetë ditë (30) para skadimit të kontratës’, i cili detyrim konsiderohet i përmbushur me dërgimin e këtij njoftimi”, thuhet në njoftimin të cilin ua ka dërguar punonjësve ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Sami Mazrekaj.

I kontaktuar nga KOHA, Mazrekaj nuk e ka mohuar as pohuar nëse numri i atyre që nuk u vazhdohen kontratat është 60. Vetëm ka theksuar se “Byroja Kosovare e Sigurimit nuk ia ka shkëputur kontratën e punës asnjë punëtori të saj, por nuk i ka vazhduar disa për vitin 2021, ku të gjitha ata janë njoftuar me kohë sipas ligjeve në fuqi”. I pyetur rreth arsyeve që kanë çuar deri te ndërprerja e kontratës, Mazreku ka folur për dëmet që ka shkaktuar pandemia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.