fbpx

Marrëveshja NATO-Hungari lë Kosovën pa sovranitet mbi hapësirën e saj ajrore

Kohë më parë Aleanca Veriatlantike e NATO-s e nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme me shtetin e Hungarisë, e cila ka të bëjë me Kosovën, raporton Kohavisioni.

Marrëveshja, të cilën e ka siguruar KTV-ja, ka të bëjë më kontrollimin e hapësirës ajrore të Kosovës. Kjo marrëveshje në shumë pika të saj i referohet rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përveç që kjo marrëveshje e cenon sovranitetin ajror të Kosovës, në të shteti ynë nuk përmendet askund si subjekt ndërkombëtar.

Në marrëveshje, përveç 1244-ërshit, nuk përmenden askund Kushtetuta e as ligjet e Republikës së Kosovës.

Në qeveri nuk kanë dhënë asnjë përgjigje sa i përket kësaj marrëveshjeje, ndonëse ajo është pranuar në heshtje. KTV-ja ka pritur për disa ditë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila kishte premtuar, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Por, profesori i Shkencave Politike, Bekim Baliqi, beson se marrëveshje të tilla e dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Profesor Baliqi thotë se në Kosovë ka rënë një pasivitet i madh ndërkombëtar, pasi sipas tij, diplomacia s’po merret fare me çështje të rëndësishme, siç është anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Deputeti Pal Lekaj thotë se qeveria nuk është dashur ta pranonte këtë marrëveshje, pasi sipas tij, rezoluta 1244 tashmë ka vdekur./Koha