Ballina / RAJONI / Maqedonia radhitet ndër ekonomitë e dobëta në Europë
shkupi maqedonia

Maqedonia radhitet ndër ekonomitë e dobëta në Europë

Maqedonia renditet ndër ekonomitë më të dobëta në Evropë lidhur me konkurrencën e ekonomisë vendore. Sipas raportit për konkurrencë globale, ekonomia e vendit është pozicionuar në vendin e 84-ët duke shënuar rënie prej 22 vendeve në raport me vitin 2016.

Më dobët se ne në kontinentin e vjetër, renditet vetëm Moldavia në vendin e 88-të dhe Bosnje e Hercegovina në vendin e 91-të, tregon raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror që mat konkurrencën e 140 shteteve në botë. Duhet shtuar më tej se Maqedonia si shtet për shkak të mungesës së të dhënave nuk figuron në listën e shteteve konkurruese për vitin 2017.

Nga ana tjetër, organizata me bazë në Gjenevë, gjithashtu shtoi disa masa të reja në studimin e saj të vitit 2018, si diversiteti i fuqisë punëtore, liria e shtypit dhe si hierarkitë në kompanitë më të mëdha janë pjesë e një ekonomie të veçantë. Nga ana tjetër edhe pse metodologjia e analizës është tërësisht e re, megjithatë pyetjet lidhur me kriteret janë të njëjtat dhe kanë të bëjnë me produktivitetin , konkurrencën dhe prosperitetin e ekonomisë.

Maqedonia , notat më të mira i ka shënuar në fushën e shëndetësisë me 80 pikë nga 100 të mundshme, stabilitetin makroekonomik ku ka fituar 74.6 pikë dhe dinamizmin në biznes ku ka fituar 61.2 pikë.

Notat më të dobëta janë fituar në kapacitetin e inovacioneve me 31.1 për qind, madhësinë e tregut me 39.2 për qind, dhe funksionimin e institucioneve me 50.6 për qind .

Të dhënat bazohen në perceptimin e menaxherëve kryesor të kompanive si dhe statistikave të institucioneve shtetërore që tregojnë një listë të gjerë të fushave që shënojnë rënie në raport me vitin 2016. Më dobët si shtet në suaza globale jemi të renditur në pjesën e gjyqësorit, tregjet ku bizneset pak kanë qasje dhe në infrastrukturë.

Notat e dobëta në raport kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, mbrojtjen e dobët të pronësisë intelektuale dhe fizike, si dhe joefikasitetin e ligjeve. Në renditjen e dobët ka ndikuar ndërlidhja dhe cilësia e rrugëve apo shërbimet e hekurudhës. Të anketuarit janë ankuar se mjaft vështirë mund të gjejnë punëtorë të kualifikuar, se ekziston bashkëpunim i vogël i pronarëve të bizneseve me sindikatat dhe se rrallë praktikohet trajnimi i kuadrit të nevojshëm.

Lidhur me arsimin dhe shkathtësive të punëtorëve, Maqedonia gjendet në vendin e 81-të në botë, mirëpo vendi i 130-të i cilësisë së arsimit profesional, tregon se me çfarë mungese të fuqisë punëtore ballafaqohet tregu i punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.