Ballina / RAJONI / Maqedoni, mbërrin misioni i OSBE-ODIHR-it
Maqedoni, mbërrin misioni i OSBE-ODIHR-it

Maqedoni, mbërrin misioni i OSBE-ODIHR-it

Të mërkurën në Maqedoni arritën vëzhguesit e parë të misionit të OSBE-së dhe ODIHR-it, për të ndjekur procesin e zgjedhjeve vendore të 15 tetorit.

Shefja e misionit, ambasadorja Audry Glover theksoi se misioni nuk ka shkuar për t’u përzier në punët e institucioneve, por për t’i ndihmuar ato dhe procesin e zgjedhjeve.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – ODIHR e filloi sot misionin vëzhgues në Maqedoni për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 15 tetor. Misioni vjen me ftesë të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Një ekip prej 16 ekspertësh dhe 20 vëzhguesish afatgjatë të shpërndarë në të gjithë vendin, do t’i paraprijë misionit prej 300 vëzhguesve nga vendet anëtare të OSBE-së, të cilët do të mbërrijnë pak ditë para datës së zgjedhjeve.

“Ne, – tha shefja e misionit të OSBE-së dhe ODIHR-it, Audry Glover, – nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve por që procesi të jetë transparent, i menaxhuar sipas zotimeve të OSBE-së, siç janë barazia, drejtësia, paanshmëria dhe vota e fshehtë. “Veç kësaj, ne na intereson që rezultatet të shpallen në mënyrë korrekte dhe transparente”, shtoi ajo.

Ambasadorja Glover ka qenë dhe herë të tjera në krye të misioneve vëzhguese në Maqedoni; ndërkohë që ajo nuk deshi të komentojë për çështjen e regjistrit zgjedhor mjaft të përfolur.

Maqedonia me 2 milionë banorë ka mbi 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar.

Vëzhguesit do ta ndjekin nga afër procesin zgjedhor, aktivitetet e fushatës, punën e adminstratës zgjedhore dhe të organeve përkatëse qeveritare si dhe çështjet që kanë të bëjnë dhe problemet që mund të rezultojnë nga zgjedhjet e 15 tetorit.

Misioni, si zakonisht do të bëjë komentet e para një ditë pas zgjedhjeve, ndërsa një raport të hollësishëm do ta përgatisë tetë javë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Zgjedhjet vendore në Maqedoni shikohen me po aq rëndësi sa zgjedhjet e përgjithshme politike; madje ministra e deputetë janë futur në garë për kryetarë komunash dhe nëse i fitojnë ato, do t’i lënë postet në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.

Check Also

Maqedoni_infoglobi

BB: Maqedonia me rritjen më të ulët ekonomike në rajon

Kriza politike është arsyeja kryesore që ka ndikuar në rënien ekonomike, duke ndikuar kështu mbi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *