Ballina / KRYESORE / Macron ndërmjetëson takimin mes Thaçit dhe Vuçiqit

Macron ndërmjetëson takimin mes Thaçit dhe Vuçiqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar një takim të përbashkët me ndërmjetësimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Sipas një njoftimi të zyrës së presidentit të Kosovës, Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Presidenti Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, thuhet në njoftimin e djeshëm.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar për shkak të tarifës të cilën autoritetet në Kosovë e kishin vendosur ndaj mallrave serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vucic tha pas takimit se qëndrimi i Serbisë mbetet i pandryshuar.

“Ne po presim heqjen e tarifës dhe më pas të rifillojmë bisedimet”, tha Vuçiq, raporton Radio Televizioni publik i Serbisë.

Takimi është zhvilluar në margjinat e Forumit të Paqes që po mbahet në Paris.

Takimi Thaçi – Vuçiq pason takimet e ndara që kanë pasur të hënën me presidentin Macron.

Përmes një njoftimi për media, zyra e presidentit të Kosovës, ka njoftuar se gjatë takimit midis Macronin dhe Thaçit është diskutuar për mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje të paqes me Serbinë.

Ndërkohë presidenti i Serbisë njoftoi gjithashtu se ka biseduar me presidentin francez për raportet me Prishtinën.

“Evropa do të presë formimin e një qeverie në Prishtinë. Unë besoj se do t’i ftojë të dyja palët për të biseduar dhe të përpiqen të gjejnë një kompromis. Unë nuk jam i sigurt se do të jetë e lehtë, por presidenti Macron beson në gjithçka që kemi biseduar në Beograd, për domosdoshmërinë e arritjes së një zgjidhjeje kompromisi”, tha Presidenti i Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.