Ballina / OP./INTERVISTA / Luftë për të mbetur gjithçka siç ka qenë

Luftë për të mbetur gjithçka siç ka qenë

Dush Gashi

Kur dukej se qytetarët e Kosovës e kanë fituar pakthyeshëm lirinë e të shprehurit dhe se për mediat nuk ka tema tabu, një intervistë e historianit Jusuf Buxhovi sikur i ktheu gjërat së prapthi dhe pasionet politike në dukje të fashitura shpërthyen sërish.

Vlerësimet e Buxhovit për UÇK-në (se lufta e saj ishte një luftë e drejtë, por jo edhe e pastër, meqë brenda saj kishte elementë kriminalë) edhe për partitë politike (se LDK është parti feudesh dhe ato janë të lidhura me struktura kriminale të PDK-së, dhe se brenda Vetëvendosjes ka njerëz të krimit të organizuar dhe militantë të shumtë) zgjuan stuhi reagimesh të ashpra me etiketime nga më të ndryshmet e deri me kërcënime për linçim. Personalitete të ndryshme publike dhe qytetarë të shumtë u rreshtuan në krah apo kundër këtyre qëndrimeve dhe të autorit të tyre dhe hapësira e komunikimit u kontaminua me akuza e kundërakuza dhe shumë fjalë të rënda.

Është paksa e habitshme pse shpërtheu kështu kjo valë, deri sa vlerësime të tilla nuk është se dëgjohen për herë të parë, ndërsa gazeta “Bota sot” thuaja se rregullisht i ka në ballinë. Edhe më e çuditshme është se, vetëm tri ditë pas këtyre deklaratave, të cilat e zgjuan gjindin e fjetur të përçarjeve tona, Idriz Zeqiraj, një burrë i ilegales së dikurshme të Kosovës, në një intervistë po në këtë gazetë, flet në mënyrë shumë më konkrete për, sipas tij, fajtorët për vrasjet e pasluftës. Por atë nuk e zë kush në gojë.

Fushata, pra, siç ndodh shpesh te ne, duket të jetë e orkestruar, ndonëse tash është vështirë të dihet nga kush dhe se cilat janë qëllimet e saj. E keqja më e madhe është se qytetarët shpejt u bënë pre e saj, thua se nuk e dinë se lufta më e madhe politike në këtë vend zhvillohet për të mos ndryshuar asgjë dhe gjërat të mbesin siç kanë qenë.

Partitë tona politike edhe më tej janë jodemokratike, edhe ato më kryesoret – PDK-ja mbajti një konventë në të cilën uniteti arrihet me rreshtimin e heshtur pas liderit, LDK-ja në “debat” ka futur edhe karriget fluturuese, ndërsa Vetëvendosje ende është kah i shëron plagët e çarjes dhe, sado t’i portretojë me ngjyrë të zezë të ikurit, megjithatë ndarja s’mund të mos jetë shprehje e mungesës së demokracisë së brendshme edhe në këtë parti.

Duke mos mundur ta ndryshojnë vetveten dhe as t’i luftojnë strukturat e kriminalizuara në mesin e tyre, ato edhe s’mund të premtojnë ndryshime rrënjësore në këtë vend. Prandaj me lehtësi i qasen teknologjisë së njohur që nga lufta e këndej të ruajtjes së mbështetësve të tyre dhe votuesve të ardhshëm – polarizimit të qyetarëve, krijimit të militantëve e fanatikëve partiakë, krijimit të atmosferës së tensionuar në vend, e cila nuk lë vend për një diskurs racional dhe marrjes me probleme reale të qytetarëve.

Gjithsesi, përkundër reagimeve, në dukje të ashpra, është e qartë se një retorikë e tillë “luftënxitëse” po u shkon për shtati të gjithëve. Përndryshe, a duhet të shtrohet çështja se duhet të kemi gjyqësor profesionist e të pavarur, i cili pastaj e di vetë se si të veprojë, e që të gjithë e dimë se nuk e kemi, apo se duhet gjykuar vrasjet e pasluftës?

Qytetarëve, në vend se me mitet e së kaluarës dhe nxitjes së përçarjeve të vjetra, e vetmja mënyrë për t’ua kthyer dinjitetin është t’u bëhet e mundur së paku plotësimi i nevojave të tyre ekzistenciale dhe të jenë të barabartë para ligjit. Por, ky tash për tash duket të jetë mision i pamundur i kësaj klase politike.

Provo po ashtu

florian bieber

Perspektivat e reja varen nga krijimi i koalicioneve në Kosovë

Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber mbi zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, shanset e dialogut …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.