Ballina / Kulturë / Ludwig von Mises flet shqip!
In Fabric
Ludwig von Mises

Ludwig von Mises flet shqip!

“Politikat Ekonomike” dhe “Mentaliteti antikapitalist” janë dy librat e një prej personazheve më të rëndësishëm të mendimit liberal Ludwig von Mises ardhur në gjuhën shqipe.

Profesor në universitetin e Vjenës, Gjenevës dhe më vonë atë të New York-ut, Mises është dhe një nga përfaqësuesit më të spikatur të “Shkollës austriake të ekonomisë” e cila mbron dhe mbështet tërësisht kapitalizmin në versionin e tij liberal. Në themelet e shkollës austriake të ekonomisë qëndrojnë pozicione metodologjike dhe epistemologjike të veçanta të tilla si “koncepti subjektiv i vlerës”, “individualizmi metodologjik”, “prakseologjia”, etj.

Dishepujt e tij më të shquar janë ekonomistë si Friedrich Hayek, Murray Rothbard, Israel Kizner, Fritz Machlup, Pascal Salin, Gottfried Haberler, etj. Nga viti 1947 e deri në vitin 1965, Mises ishte një nga 40 anëtarët themelues më aktivë të “Mont Pèlerin Society”, grupim i ekonomistëve dhe mendimtarëve liberalë më të shquar të botës, organizatë e krijuar në Vevey të Zvicrës në vitin 1947, qëllimi themelor i së cilës ishte “krijimi i një strukture ndërkombëtare permanente që do tu krijojë mundësi intelektualëve liberalë të organizohen dhe angazhohen për idetë e tyre kundër çdo lloj ndërhyrje shtetërore”.

”Emri i Ludwig von Mises është i lidhur ngushtë edhe me kritikën e ashpër pa asnjë ekuivok të socializmit dhe ekonomisë së centralizuar e planifikuar, të cilën e konsideron “tërësisht të gabuar dhe të destinuar të dështojë” për shkak të mungesës së mekanizmit të fiksimit të çmimeve nëpërmjet tregut. Në themel të ideve dhe mendimit të tij liberal qëndrojnë tema e ide të tilla si “eliminimi i natyrës intervencionistë të shtetit”, “krijimi i kushteve sociale që garantonin liri për të gjithë individët”, “të drejtat politike dhe liria e votës”, “prioriteti i ekonomisë së tregut të lirë”, eliminimi i “rrugës drejt skllavërisë”, “zhdukja e burokracisë që i shmanget çdo kundër-pushteti”, “pamundësia e planifikimit për të qenë racional”, “shmangja nga praktikat e social-liberalizmit”, “demaskimi i varianteve të socializmit”, “për një aleancë ndërmjet liberalëve dhe konservatorëve anti-etatikë”, “rregulli spontan”,etj.”, thotë prof. Civici në parathënien e librit.

Sipas tij, për Mises, liberalizmi nuk është një religjion, as një vizion specifik për botën, as një parti që mbron interesa të veçanta. Nuk është një besim fetar sepse nuk kërkon as besim të verbër dhe as devocion pa kushte, sepse liberalizmi nuk ka asgjë mistike në përmbajtjen e tij, sepse ai nuk e pranon konceptin e dogmës.

Ai nuk është një vizion i veçantë për botën sepse liberalizmi nuk tenton të shpjegojë universin, sepse ai nuk kërkon dhe nuk tenton të shpjegojë domethënien dhe qëllimet e ekzistencës njerëzore. Ai nuk mbron interesa të veçanta sepse nuk tenton tu krijojë avantazhe grupeve apo individëve të veçantë. “Mises është i bindur se liberalizmi është një ideologji, një doktrinë e marrëdhënieve të përbashkëta ndërmjet anëtarëve të një shoqërie, është ideologjia e demokracisë së njerëzve të lirë.
Ai nuk premton asgjë që tejkalon atë që mund të realizohet në një shoqëri dhe falë mundësive reale të saj. Liberalizmi synon tu japë njerëzve vetëm një gjë : zhvillimin në paqe, pa grindje e konflikte, të mira materiale për të gjithë, zvogëlimin dhe eliminimin e shkaqeve të jashtme të vuajtjes dhe mungesave për aq sa është e mundur të bëjnë institucionet sociale. Qëllimi i shenjtë i tij : zvogëlimi i vuajtjeve dhe shtimi i mirëqenies!”, shkruan Civici.

”Në gjithë jetën dhe aktivitetin tim në biznes, mësimi më i madh dhe konkluzioni kryesor që kam nxjerrë është se, garantimi i lirive ekonomike e politike, veçanërisht liria e tregut dhe sipërmarrjes, aplikimi i drejtë dhe i saktë i rregullave dhe institucioneve të kapitalizmit janë rruga më e mirë dhe më e sigurte që një vend të zhvillohet shpejt duke rritur në mënyrë të qëndrueshme mirëqenien dhe cilësinë e jetës”, shkruan Samir Mane në pasthënien e librit “Mentaliteti anti-kapitalist”, duke shtuar se “kapitalizmi është sistemi i konsumatorit mbret, i suksesit në treg vetëm falë cilësisë dhe standardeve të produkteve e shërbimeve, i shpërblimit më të mirë të iniciativave dhe përpjekjeve të çdo individi të lirë, i mundësive të gjithkujt për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm, është sistemi që na garanton prosperitetin dhe zhvillimin ekonomiko-social të shoqërisë sonë”.
”Libri “Mentaliteti antikapitalist” i Ludwig von Mises, bën pjesë në ata libra fondamentalë e të domosdoshëm për tu lexuar gjerësisht, të cilët kanë forcën dhe qartësinë e mendimit dhe analizës ti japin një përgjigje të mrekullueshme shkaqeve dhe arsyes së “qëndrimeve anti-kapitaliste” në shoqërinë tonë, si dhe të ndriçojnë mendjet dhe idetë e shumë njerëzve se “kapitalizmi, i kuptuar dhe zbatuar siç duhet, është rruga më e sigurte drejt suksesit, demokracisë dhe mirëqenies për çdo popull apo vend””, shkruan Mane.

“Ludwig von Mises, si një nga baballarët themelues të liberalizmit modern, nënvizon se ekziston një opinion sipas së cilit liberalizmi dallohet nga lëvizjet e tjera politike sepse mbron interesat e një pjese të shoqërisë – pronarëve, kapitalistëve, sipërmarrësve, etj. – në kurriz të interesave të klasave të tjera. Ky pohim është krejtësisht i pavërtetë pasi liberalizmi ka kërkuar gjithmonë të mirën e përgjithshme dhe jo atë të grupeve të caktuara.

Këtë kanë dashur të pohojnë publikisht utilitaristët anglezë me frazën e tyre të famshme mirëqenie më e madhe për një numër sa më të madh njerëzish. Liberalizmi ndahet nga socializmi, që pretendon gjithashtu të njëjtën gjë, jo nga qëllimi final, por nga mjetet dhe instrumentet që preferon për realizimin e këtij qëllimi. Liberalizmi nuk lejon apo dënon asnjë model politik, ekonomik apo mënyrë jetese, por kritikon imponimin e individëve për të pranuar e zbatuar një model të caktuar, kur ai nuk është zgjedhur në mënyrë demokratike nga njerëzit e një grupi apo shoqërie të caktuar”, thotë Civici.

Sipas tij, e gjithë vepra teorike e Mises është një refuzim total i “kolektivizmit”, “Etatizmit”, “keynesianizmit”, “anti-kapitalizmit”, “socializmit”, “komunizmit” e “nazizmit”. Parime themelore si “Prona private”, “liria ekonomike”, “ndarja e punës”, “tregtia e lirë”, “tregu i lirë dhe transparent”, etj., janë sipas Mises “bazat themelore të civilizimit” të cilat krijuan zhvillimin dhe mirëqenien e shoqërive moderne. Në librin e tij fondamental “Veprimi njerëzor”, Mises shkruan se “Ekonomia e tregut nuk ka nevojë për demagogë apo propagandistë … nëse kërkoni monumentin e saj, shihni përreth jush…”.Mises u shfaq në skenën intelektuale dhe debatin ekonomik në një moment historik kur marksizmi dhe versionet e ndryshme të kapitalizmit kishin një monopol intelektual pothuajse absolut.

Në gjysmën e parë të shek.XX-të, nuk evidentohej asnjë opozitë intelektuale sistematike ndaj socializmit, dhe as ndonjë mbrojtje e zjarrtë e kapitalizmit. Sipas profesorit të ekonomisë George Reisman, “aktiviteti dhe veprat e Mises dëshmojnë për përpjekjet e tij titanike për ndërtimin e mbrojtjes intelektuale të kapitalizmit dhe për pasojë të vetë civilizimit perëndimor”.
Mises dëshmon se e vetmja mënyrë për të luftuar varfërinë dhe nxitur zhvillimin nuk është aspak komunizmi apo socializmi, por është kuptimi i drejtë dhe aplikimi i saktë i sistemit kapitalist. “Nëse socialistët dhe revolucionarët e vendeve të varfëra e të pazhvilluara do ta kuptonin ekonominë, çdo përpjekje dhe dëshirë e tyre për të luftuar varfërinë, duhet ti shndërrojë ata në avokatë të kapitalizmit”.

Fritz Machlup, profesor në universitetin e Princeton, SHBA, duke vlerësuar maksimalisht Mises dhe librin « Politikat Ekonomike » thekson se « Ky libër reflekton në mënyrën më të plotë thelbin e qëndrimeve të autorit, qëndrime për të cilat Mises ishte – dhe mbetet akoma – i admiruar nga adhuruesit e tij dhe i denigruar nga kundërshtarët… ndërkohë që secili nga këto gjashtë leksione mund të mjaftonte të botohej si një ese e pavarur, harmonia e kësaj serie konferencash të krijon një kënaqësi estetike të jashtëzakonshme, të ngjashme me atë që të jep arkitektura e një ndërtese të bukur dhe solide». Jorg-Guido Hulsmann, autori i librit biografik më të mirë të shkruar për Mises “Mises: The Last Knight of Liberalism”, vlerëson se “Veprat e Mises meritojnë të jenë programe themelore në curriculumet e çdo universiteti, jo vetëm në departamentet e ekonomisë, por dhe në ato të filozofisë, historisë, politikave dhe administrimit publik, sociologjisë, jurisprudencës, tregëtisë, gazetarisë dhe humaniteteve.

”Në kohën e sotme, ku fatkeqësisht, gjithë aspektet e jetës janë prekur nga politizimi dhe debatet sociale sipërfaqësore, është e rëndësishme ti rikthehemi debateve dhe çështjeve thelbësore. Me këtë libër, Ludwig von mises na jep mjetet e duhura duke na krijuar një mundësi të shkëlqyer për të bërë këtë”, thotë Civici.

 

Check Also

Rugova-Gete

A e dini cili ishte pasioni i përbashkët i Rugovës dhe Gëtes

Dihet se ish-Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte një pasion shumë të madh …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *