Ballina / KRYESORE / Liria për të vajtuar

Liria për të vajtuar

Çfarë tregon reagimi qyqar i partive politike dhe i shoqërisë civile pas ndërlidhjes së Veselit e të zyrtarëve tjerë me rastin “e fajdeve”? A nuk do të duhej që, në vend të përshkrimit të gjendjes, mediat të fokusohen dhe të jenë më kritike ndaj mënyrës së reagimit të qytetarëve ndaj gjendjes aktuale dhe, sidomos, ndaj atyre të cilët e kanë marrë flamurin e opozitarizmit – partive opozitare dhe të shoqërisë civile?

Shkruan: Dush Gashi

Në Kosovë kanë shteruar të gjitha energjitë për ndryshim. Ndonëse ka bukur shumë vite qëkur në disa media dhe në rrjete shoqërore nga qytetarët gjendja përshkruhet me tonet më të zymta – se shteti i Kosovës është i kapur dhe i korruptuar, se resurset e tij po i shfrytëzojnë klanet dhe strukturat jashtësistemore, ndërsa qytetarët po varfërohen vazhdimisht dhe të gjitha institucionet dhe vlerat po degradohen – mungon hapi tjetër, që edhe të veprohet për ta ndryshuar gjendjen.

Thua se do të bëhet mirë vetvetiu, apo se ndonjë faktor i jashtëm, i gjithfuqishëm do ta bëjë këtë në vend të vetë qytetarëve. Për fat të keq, shpresa pa ndonjë mbështetje reale është vetëm iluzion, ndërsa, sipas ligjit të njohur të Marphyt – se gjithçka që mund të shkojë keq edhe shkon – duke mos ndërmarrë asgjë, kjo edhe po ndodh vërtet dhe gjendja vetëm sa po keqësohet çdoherë.

Me e çuditshmja është se mediat nuk merren fare me mënyrën e pozicionimit ndaj kësaj gjendjeje të opozitës dhe të shoqërisë civile, reagimet e të cilave më shumë shërbejnë si anestezion për qytetarët, se sa si ilaç i duhur për derexhenë e përgjithshme shoqërore.

Drejtësia si aksident

Ndërsa në njërin nga rastet e veprimit të drejtësisë si aksident (se drejtësia te ne vetëm kështu ndodhë, si edhe në rastin e aferës “Pronto” apo të veteranëve të rrejshëm, i pari nga të cilat përfundoi në një farsë gjyqësore, ndërsa tjetri nga duart e një prokurori të zotin u kthye në duart manipuluese të politikës) përkatësisht të arrestimit kushedi prej çfarë zori të Ismet Osmanit – Currit kah fundi i majit të këtij viti, vetëm sa u dëshmua edhe njëherë fuqishëm ajo që në fakt dihej – se në këtë vend mungon njëri prej përcaktuesve kryesorë të demokracisë – gjyqësori i pavarur. Në mungesë të tij, pushteti mbetet i pakontrolluar, ndërsa, sipas definicionit, akumulimi i tërë pushtetit në duar të njëjta, qoftë të një apo shumë personave, paraqet tirani. Që do të thotë se demokracia dhe shumëpartizmi në këtë vend ekziston vetëm në letër.

Në këtë rast, të njohur si “i fajdeve”, dolën në sipërfaqe gjëra të cilat përndryshe nuk do të dilnin kurrë – se në emër të PDK-së dhe kryetarit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli dhe të bashkëpartiakut të tij të fuqishëm e nënkryetar të Parlamentit, Xhavit Haliti, një biznesmeni i kërkohej haraç. Po ashtu, fotografi të shumëta të cilat u botuan në medie, tregonin se Ismet Osmani – Curri, si edhe Rrahim Hashimi, ishin krejtësisht të familjarizuar me krerë të kësaj partie dhe të strukturave të pushtetit.

Në veprimet e menjëhershme për evitimin e pasojave të kësaj “fatkeqësie natyrore” të drejtësisë, Kadri Veseli edhe paraqiti padi në gjykatë për përfoljen e tij, por që atë ditë më s’u dëgjua për këtë padi.

Farsën e shumëpartizmit e të demokracisë, në anën tjetër, e dëshmojnë më së miri reagimet qyqare të partive politike.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili thuaja se fare nuk e vë në dyshim përfshirjen e këtyre zyrtarëve të lartë në këtë aferë, në reagimin e tij plot një javë më vonë, dhe atë me një shkas tjetër – askionin për arrestimet në veri, me vetëm një fjali të vetme e përmend aferën, se “drejtësia s’guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve”. Kreu i partisë më të madhe opozitare, siç kanë njoftuar mediet, do të mjaftohet vetëm me postimin e kësaj fjalie në Facebook!

Leksion për demokracinë

Për dallim prej përmendjes vetëm tërthorazi të rastit nga Isa Mustafa, Vetëvendosje në reagimin e saj përdori tërë artilerinë e rëndë retorike, duke ia kërkuar Veselit dorëheqjen dhe duke ia duke ia përmendur si mundësi burgun:

“Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohet para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje. Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”.

Reagimi ka edhe një pasus tjetër, në të cilin konstatohet kapja e drejtësisë. Por, e tërë kjo përfundon me kaq dhe atë vetëm me postim në Facebook!

Por, namin e vërtetë dukej se do ta bëjë shoqëria civile. Dy ditë pas daljes në dritë të skandalit, plot 24 organizata joqeveritare kërkonin llogaridhënie. Tash, pas kaq kohe, e dimë se reagimi i tyre mbeti vetëm një leksion për “transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve”, të cilat “janë tipare të domosdoshme për demokraci të zhvilluara” dhe kërkonin që standarde të këtilla të instalohen dhe aplikohen edhe në Kosovë.

Kreut të Kuvendit i kërkohej që, në pajtim me përgjegjësinë që mbart mbajtja e postit publik, të japë llogari dhe të qartësojë para qytetarëve një përfshirje të tillë.

Mediat, pjesë e sistemit

Paramendojeni – kur 24 organizata joqeveritare reagojnë në rastin kur dy ndër zyrtarët më të lartë të pushtetit përfolen për përfshirje në një rast të tillë, është reale të pritet se mund të ketë rebelim në vend, ndërsa opozita, duke e parë se veprimi institucional është i pamundur, së paku do të mund të bojkotonte institucionet e kapura.

Por, tashmë e dimë se nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra. E tëra mori fund ashtu që nuk u desht shumë kohë që edhe këtë ngjarje, si gjithmonë, ta mbulojë – pluhuri i harresës! Dalja në skenë e ndonjë force të re politike, ndërkaq, nga popullata e kapluar nga frika ekzistenciale, as që mund të merret me mend.

Për fat të keq, edhe mediat, sado disa prej tyre duken të pavarura dhe kritike ndaj pushtetit, megjithatë edhe ato dalin të jenë vetëm pjesë e sistemit. Të kesh një gazetë të quajtur të pavarur, një televizion apo ndonjë portal në internet, të ftosh për të njëqindtën herë të njëjtit njerëz në biseda, apo të zbrazësh kritika për “shtetin e kapur”, deri sa nuk funksionon sistemi i drejtësisë, është dëshmuar gjë e kotë për shumë vite dhe kjo hapësirë e fituar e lirisë së shprehjes në fakt është shndërruar vetëm në liri për vajtim.

A nuk do të duhej, prandaj, që mediat të fokusohen dhe të jenë kritike ndaj mënyrës së reagimit tonë ndaj gjendjes aktuale dhe, sidomos, të atyre të cilët e kanë marrë flamurin e opozitarizmit – partive opozitare dhe të shoqërisë civile?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.