Berisha: Kosova është shndërruar në shtet policor

Situata politike në Kosovë është tensionuar edhe më shumë pas arrestimit të deputetes së AAK-së Donika Kade-Bujupi. E gjithë dita e djeshme është shoqëruar me dhunë, djegie makinash dhe arrestime. Për të sqaruar atë se çfarë ndodhi në kryeqytetin e Prishtinës, “Shekulli” ka intervistuar deputetin e opozitës, Zafir Berisha, i cili sqaroi se qeveria po mban në paraburgim deputeten me qëllim që të tensionojë situatën. Ai thotë se opozita do të vazhdojë rezistencën, deri në tërheqjen e marrëveshjeve dhe lirimin e deputetes.

Çfarë po ndodh në Kosovë?

Pas dërgimit të fletë-arrestit është shoqëruar në polici deputetja e AAK-së Donika Kade Bujupi dhe mbi 10 anëtarë të “Vetëvendosjes”. Po ashtu gjatë gjithë ditës Policia është përpjekur të arrestojë Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiajn. Aksioni për arrestimin e këtyre të fundit ka nisur që në mëngjes ku policia ka thyer derën e banesës së Kurtit. Gjatë ditës ka pasur protestë të pandërprerë ku është kërkuar që të lirohet deputetja Bujupi. Arrestimet janë akte të një shteti policor, të cilat nuk mund të pranohen. As regjimet më të egra sot në botë nuk arrestojnë deputetët e opozitës. Nuk e di se ku dallon regjimi i Thaçit e Mustafës me regjimet e egra komuniste. Çfarë po bëjnë deputetët e opozitës që duhet të burgosen? Po si mund të arrestosh opozitën kur ajo bën përpjekje për të ndaluar marrëveshjet që qeveria e Kosovës ka bërë me Serbinë dhe me Malin e Zi. Nëse qeveria nuk liron deputeten Bujupi dhe nëse nuk heq dorë nga arrestimi i Albin Kurtit dhe deputetëve të tjerë ne do të shtojmë protestat, siç do të shtojmë protestat derisa qeveria të anulojë marrëveshjen me Brukselin për ndarjen e Kosovës.

Deputetë që përdorin gazin lotsjellës në Kuvend. Nuk ju duket kjo lloj proteste e dhunshme dhe e papranueshme?

Protestat me gaz lotsjellës janë e vetmja formë për të ndalur kryeneçësinë e qeverisë, e cila nuk përfill qëndrimin disamujor të opozitës për të anuluar marrëveshjen. Përdorimi i gazit nga ne, është bërë i ligjshëm pasi kjo shumicë ishte e pa kompromis në vendosmërinë për të miratuar dy marrëveshjet, të cilat janë fatale për sovranitetin e Kosovës dhe e bëjnë shtetin jofunksional. Për ta sqaruar më mirë, gazi lotsjellës i opozitës përdoret për të ruajtur kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pasi marrëveshja e fundit me Serbinë e vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës. Për të mbrojtur Republikën ne jemi të detyruar të përdorim të gjitha mjetet. Gazi lotsjellës është mjet që e kemi përzemër, sepse dhe ne vetë jemi dëmtuar më shumë se sa maxhoranca, por kur shohim se kjo qeveri ka ndërmend  të copëtojë Kosovën, siç është bërë me Bosnjën, atëherë mendoj se kjo rezistencë e jona dhe përdorimi i mjeteve bëhet i ligjshëm, ndërsa përdorimi i tyre nga policia, e në këtë rast nga qeveria është antishtetëror dhe antiligjor.

Dy marrëveshjet e predikuara nga ju si të dëmshme për Kosovën, mos po përdoren më shumë si një mënyrë për të rrëzuar këtë qeveri dhe për të ardhur ju në pushtet?

Në fakt, kjo tezë që shtroni ju përdoret nga kryeministri Mustafa dhe Thaçi. Nuk është qëllimi i opozitës për të marrë pushtetin, pasi ne jemi pakicë dhe me 30 deputetët tanë edhe sikur të na jepnin pushtetin ne nuk kemi numrat për të drejtuar vendin, pasi për të marrë pushtetin duhet të kesh të paktën 61 numra. Kjo tezë e tyre bie. Ne kemi kërkuar anulimin e marrëveshjes që ka nënshkruar Mustafa dhe Thaçi me Serbinë në Bruksel. Është në të drejtën e opozitës për të ardhur në pushtet, por ky aksion i yni nuk ka lidhje me atë që i servir opinionit publik dyshja Mustafa-Thaçi. Në asnjë nga artikulimet tona nuk është vërejtur kërkesa për të rrëzuar këtë qeveri, të paktën deri më tani. Kërkesa është e qartë; anuloni marrëveshjen. Nëse do të ishte anuluar, tashmë kjo do të ishte harruar.

Pse nuk po tërhiqet kryeministri Mustafa nga marrëveshja dhe pse është kaq i rëndësishëm kalimi i këtyre marrëveshjeve për të dhe Hashim Thaçin?

Ata janë të shantazhuar. Ata e dinë shumë mirë që marrëveshja e Brukselit për “Zajednicën” është antikushtetuese, siç e dinë edhe që është e dëmshme dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin. Një nga deputetët e shumicës madje, është shprehur kundër këtyre marrëveshjeve. Njëri prej tyre sot (dje)më tha se nuk do ta votojë. Dy ditë më parë dhe kreu i grupit parlamentar të LDK-së e pranoi që kjo marrëveshje është e dëshme. Por janë krerët e dy partive që nuk po reflektojnë. Dhe Lunacek disa ditë më parë në deklaratën e saj la të nënkuptojë që nëse marrëveshjet nuk kanë konsensusin e të gjithëve duhet të negociohen.

Nga kush janë shantazhuar Thaçi dhe Mustafa?

Ju e dini se marrëveshja në Bruksel ka filluar në prill të 2013-ës, dhe në atë kohë ka qarkulluar një raport i Dick Marty-t ku përflitet Hashim Thaçi, disa nga drejtuesit kryesor të PDK-së dhe disa figurave të partive të tjera politike dhe ushtarake në Kosovë. Unë mendoj se përmes këtij raporti Thaçi është shantazhuar dhe vijon të shantazhohet. Ai, për të shpëtuar veten dhe njerëzit e tij për gati dy vjet rresht, ka lëshuar pe duke nënshkruar marrëveshje pafund. Dhe ne nuk mund të lejojmë që për hesap dhe favore të Thaçit t’i japim Kosovën Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.