Liderët e Kosovës dënojnë sulmin që Irani i bëri bazave ushtarake të SHBA-ve në Irak

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmet iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të tyre, duke i bërë thirrje Teheranit zyrtar të heqë dorë nga dhuna.

Ai në një postim në Twitter shpreh mbështetjen e Kosovës për aleatët e saj dhe SHBA-në.

“Ne i dënojmë sulmet raketore iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të vendosura në Irak që janë të fokusuara në mposhtjen e ISIS. Kosova është anëtar zyrtar i Koalicionit dhe ne i bëjmë thirrje Iranit që të dekurajojë dhunën. Ne mbetemi në mbështetje të SHBA dhe familjes sonë atlantike në këtë kohë trazirash”, shkruan Thaçi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova qëndron e palëkundur në mbështetje dhe përkrahje të ShBA-së.

“E dënojmë sulmin e Iranit ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak dhe e vlerësojmë këtë sulm si akt i rëndë agresioni ndaj ShBA-ve”, është shprehur Haradinaj.

“Njëkohësisht institucionet e Kosovës, janë duke i përcjellur me vëmendje këto zhvillime që prekin edhe jetën e qytetarëve tanë, të cilët punojnë përkrah trupave amerikane në këto baza. Qeveria e vendit qëndron përkrah ShBA-ve, në ofrimin e paqes dhe sigurisë ne botë”.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka dënuar sulmin e Iranit që e bëri ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak.

“Dënoj sulmin e Iranit me raketa balistike ndaj bazave që strehojnë trupat amerikane në Irak duke e konsideruar një akt të rëndë agresioni ndaj SHBA-ve, Irakut dhe paqes e stabilitetit ndërkombëtar. Shumë qytetarë tanë janë duke punuar në këto bazat të aleatit tonë dhe prandaj ne ndihemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë e tyre. Institucionet e Shtetit duhet të kenë vëmendjen e plotë në situatën në të cilën ndodhen ata. Kosova, si gjithmonë, qëndron përkrah SHBA-ve, në luftën e saj kundër terrorizmit si dhe në misionin human për një botë të lirë, demokratike e paqësore”, ka shkruar Veseli në Facebook.

InfoGlobi ka raportuar dje se dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike nga Irani, sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.

Televizioni shtetëror iranian tha se sulmi është ndërmarrë, si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimanit.

Ai u vra në një sulm me dron në Bagdad, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.

Pentagoni thotë se dy bazat e ushtrisë amerikane që u sulmuan janë në Irbil dhe Al Asad të Irakut.

Është e paqartë nëse ka pasur viktima.

“Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën si dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham, përmes një deklarate.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e gjeneralit Soleiman.

Sulmet e Iranit me raketa balistike kundër caqeve amerikane në Irak i kanë rritur shqetësimet globale për një konflikt të armatosur në Lindjen e Mesme, që do të mund të dilte jashtë kontrollit.

Thomas Warrick, ekspert në Këshillin e Atlantikut, institut me seli në Uashington, tha se çështja kryesore tani është nëse sulmet e Iranit kanë shkaktuar ndonjë viktimë amerikane.

“Presidenti (amerikan, Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë kur ka thënë se shkaktimi i viktimave amerikane është vijë e kuqe për të”, tha Warrick për Zërin e Amerikës, derisa Pentagoni është ende duke vlerësuar dëmet.

“Bota mund të zgjohet në një situatë, ku Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në luftë, ose ndoshta në tensione më të larta”, tha Warrick.

Siç dihet gjatë ditës së djeshme, para sulmit me raketa balistike, nga Iraku janë tërhequr trupa ushtarake të Italisë dhe të Gjermanisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.