Ballina / OP./INTERVISTA / “Lëvizja” do ta shkatërrojë ëndrrën europiane
BERND RIEGERT

“Lëvizja” do ta shkatërrojë ëndrrën europiane

Steve Bannon, ideologu amerikan radikal i djathë dhe ish-kryestrategu i presidentit amerikan Donald Trump, kërkon të vendosë ndikimin mbi Parlamentin Evropian. Bannon është i rrezikshëm.

Shkruan: BERND RIEGERT

“Lëvizja” (The Movement) do të quhet qendra operacionale radikale e djathtë, që nacionalisti amerikan Steve Bannon kërkon të mbjellë në zemër të Evropës, në Bruksel. Pikërisht “Lëvizja”! Kjo nuk është rastësi për kryestrategun dinak të antiliberalizmit. Ky emër duhet të zgjojë sinjalet e alarmit tek gjermanët, por edhe tek evropianët e tjerë.

Adolf Hitler dhe Benito Mussolini i kanë pas quajtur organizatat e tyre fashiste “Lëvizje”, sipas lëvizjes popullore në Gjermani, Austri dhe Hungari në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. “Lëvizja” e Hitlerit solli vuajtje, mjerim dhe vdekje për miliona vetë. Steve Bannon, që e përshkruan veten si luftëtar satanist kundër establishmentit, i qaset me sipërmarrjen e tij të re në mënyrë djallëzore trendit të Evropës.
Sepse populistët në Evropë flasin për veten e tyre me dëshirë për “Lëvizjen”, qofshin këta nacionalistët e djathtë të FPÖ në Austri ose “Lëvizja pesë yjet” në Itali. Alternativa për Gjermaninë, AfD, në Gjermani mban kontakte me ekstremistët e djathtë të “Lëvizjes Identitare”. Emrin për këshillimin në fushatën zgjedhore Steve Bannon e ka zgjedhur shumë mirë. Populistët e djathtë, të mëdhenj e të vegjël deri tek partitë ekstremiste të djathta kanë zënë radhën në BE, për të përfituar nga organizatori i suksesit në zgjedhje të presidentit amerikan, Trump.
Bannon nga ana e vet ka ngritur një rrjet të ngushtë në Evropë. Ai ka takuar dhe përqafuar udhëheqësit autoritar të skenës së djathtë- që nga Alice Weidel në Gjermani, bashkëkryetaren e AfD në parlamentin gjerman, tek Marine Le Pen, figurën më të rëndësishme të së djathtës në Francë, deri tek ministri i Brendshëm radikal i djathtë në Itali, politikanin e “Lega-s”, Matteo Salvini. Që nga “finlandezët e vërtetë” deri tek “vëllezërit italianë” zgjatet ky “aks i djathtë” i ri, që i ka vënë vetes si qëllim që të krijojë deri në zgjedhjet e tjera evropiane më 2019 fraksionin e tretë më të fortë në Strazburg.
Synimi: Shpërbërje e Bashkimit Evropian
Steve Bannon kërkon më shumë se kaq. Ai ka si synim shpërbërjen e Bashkimit Evropian, fundin e demokracisë liberale në Evropë. Deri tani nacionalistët e djathtë kanë qenë të pakoordinuar në nivel evropian. Steve Bannon ishte në gjendje ta ndryshonte këtë me logjistikë moderne fushatash zgjedhore, fushata në mediat sociale, krijimin e profileve të zgjedhësve me të dhënat e ngritura dhe me hile të tjera të fushatës zgjedhore amerikane. Ai ishte faktikisht në gjendje të vinte në lëvizje një “Lëvizje” nacionaliste të djathtë evropiane, të ngritur mbi sukseset zgjedhore në Itali, Austri dhe Gjermani.

Konservatorët e etabluar, socialistët dhe liberalët që i kanë dhënë deri tani tonin BE-së, duhet të mbrohen dhe të zhvillojnë koncepte për një “Kundër- Lëvizje”. Edhe institucionet evropiane duhet të japin kontributin e tyre. Përgjigja e Komisionit të BE-së, se i ka vënë re aktivitetet e Steve Bannonit, nuk mjafton. “Lëvizja” duhet penguar para se të jetë vonë. Komisionit i kërkohet, po ashtu si vendeve anëtare, që të sigurojnë zgjedhje “të ndershme dhe të barabarta” , siç e kërkojnë Paktet e BE-së.
Në SHBA shërbimi sekret rus është përpjekur shumë të ndikojë mbi zgjedhjet. Nuk dihet nëse Bannon e ka ditur këtë, nëse i ka ndihmuar ai rusët, ose rusët atë. Por e qartë është se Bannon admiron prej kohësh stilin qeverisës të presidentit rus Wladimir Putin dhe luftën e tij për krishtërimin. E qartë është se në Evropë disa parti populiste të djathta financohen nga Rusia dhe mbajnë me Rusinë kontakte të ngushta. Këtu mund të hyjë në punë manipuluesi i madh Bannon. Vendosja e ndikimit rus mbi zgjedhjet evropiane, siç është provuar tashmë, mund të ngrihet dhe shfrytëzohet sipas synimeve të caktuara. Për partitë demokratike proevropiane dhe për institucionet shtrohet si detyrë që të hapin sytë dhe të shohin mirë çfarë është duke e ngritur “Lëvizjen” dhe si bashkëpunohet me dordolecët rus. Sepse të fillosh të qash kur populistët e djathtë të zënë Parlamentin Evropian, është shumë vonë.

/DW

t

@Fluidi

Provo po ashtu

Mehmet Kraja

Mehmet Kraja: Mbështetësit e vegjël të ideve të mëdha

Ideja për korrigjimin e kufijve ose për shkëmbim territoresh, nëse gjen zbatim, nuk do t’i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.