Ballina / KOSOVA / Letërkëmbimi për mandatin e EULEX-it
Jahjaga
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Letërkëmbimi për mandatin e EULEX-it

Është siguruar letërkëmbimi në mes të Jahjagës e Ashtonit.

Prishtinë: Ftesa që EULEX-i të qëndrojë me mandat të caktuar edhe për dy vjet të tjera në Kosovë i është përcjellë  shefes së diplomacisë së BE-së Catherine Ashton dhe tani pritet përgjigja e kësaj të fundit në te” ka konfirmuar për Info Globin zëdhënësi i presidencës së Kosovës Arbër Vllahiu.

Sikurse dihet çështja e kohëzgjatjes së qëndrimit të EULEX_it në Kosovë, baza ligjore si dhe mandate i misionit për rendin dhe ligjin kanë qenë objekt diskutimesh të mëdha si ndër përfaqësues të institucioneve të Kosovës ashtu edhe në media.

Pika më e ndejshme që ka krijaur kryetituj medial ishte dhënia e elementeve kushtetuese misionit të EULEX-it. Info Globi ka raportuar se përfaqësuesit e disa subjekteve politike patën kundërshtuar që pranisë së EULEX_it në Kosovë t’i jipet bazë kushtetuese, përkatësisht që ai të mos përmendet fare në kushtetutë. Më së shumti bujë kanë bërë qësthjet për bazën ligjore për mandatin ekzekutiv të EULEX-it, i cili edhe në të ardhmen do të ketë kompetenca relativisht të mëdha në fushën e drejtësisë.

Letra e presidentes Atifete Jahjaga në fakt është si duket rezultat i kompromiseve politike në Kosovë dhe shtegdalje nga situata e krijuar për shkak të pikëpamjeve kontradiktore se mbi cilën bazë juridike kosovare atij do t’i sigurohet qëndrimi në Kosovë deri në qershorin e vitit 2014. Kjo letër në fakt është ftesa e cila demonstron vullnetin politik të institucionit ndër më të lartit në vend për misionin e EULEX-it. Kur Ashton të përgjigjet Kuvendi i Kosovës pritet të votojë rezolutën për mandatin dy vjeçar të EULEX-it në Kosovë.

Kohë më parë numri një i EULEX-it Xavier De Marnchak në një intervistë ekskluzive për Info Globin pati deklaruar që “Mund të ndodhë që EULEX-i do të duhet të qëndrojë këtu edhe pas vitit 2014 por vetëm për rastet e vështira siç janë ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Është periudhë e shkurtër që institucionet e Kosovës  të kenë kapacitete të duhura për rastet e rënda të krimeve të luftës. Institucionet e drejtësisë kanë pranuar në një mënyrë se e kanë të vështirë të menaxhojnë rastet nga kjo fushë”.

InfoGlobi sjell atë që besohet se është letra të cilën Jahjaga tani ia ka përcjellur Ashtonit në Bruksel.

Letra e Jahjagës drejtuar Ashton:

“E nderuara Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika te Sigurisë, Baronesha Ashton,

Dëshiroj t’ju shpreh juve falënderimet tona më të sinqerta për kontributin e vazhduar të Bashkimit Evropian për stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës.

Në përputhje me nenet 17(I), 18(I) dhe 20(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe duke e pasur parasysh përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës të paraparë në Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ne e mirëpresim praninë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ”EULEX KOSOVO”.

Ne vazhdojmë ta mbështesim plotësisht mandatin e tij sipas përcaktimit nga Veprimi i Përbashkët 2008/124/PPJS, të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, me 4 shkurt 2008, të ndryshuar ne Aneksin IX, neni 2.3 i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe letrat e këmbyera te datës 17 shkurt 2008 dhe 8 gusht 2008.

Duke marrë parasysh qëllimin tonë për të fuqizuar edhe me tej sundimin e ligjit në Kosovë, ne e mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të EULEX.-it në Kosovë për të zhvilluar autoritetet tona, dhe në veçanti sistemin tonë gjyqësor. Mbi këtë bazë, unë i bëjë thirrje Shkëlqesisë Suaj, përmes kësaj letre dhe sipas autoritetit nga neni 19 dhe 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që të përgjigjeni duke e shprehur gatishmërinë e BE-së që të vazhdojë të ofrojë prokurorë, gjyqtarë dhe policë me përvojë dhe dije që të shërbejnë në Misionin EULEX në Kosovë.

Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX.-it të cilët shërbejnë në kuadër të tij nga data e kësaj letre janë emëruar në bazë të Aneksit IX, neni 2.3 i Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Unë i konfirmoj këto emërime.

Gjithashtu, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, EULEX-i mund ë emërojë gjyqtarë dhe prokurorë të tij, të cilët do t’i zëvendësojnë ata të cilëve u skadon mandati. Këto emërime kryhen sipas mënyrës së përshkruar në vijim:

Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, unë kam fuqinë të emëroj dhe shkarkoj prokurorët dhe gjyqtarët sipas propozimit të trupave nominues. Neni 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i lejon Republikës që t”ia bëjë delegimin e kompetencave të caktuara organizatave ndërkombëtare për disa çështje specifike. Si Presidente, e kam për detyrë të siguroj që këto delegime të kenë një renditje të qartë.

Prandaj, unë konfirmoj se në bazë të nenit 20 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës EULEX-it në Kosovë do t’i delegohen kompetencat në vijim:

(a) për propozimin dhe emërimin e gjyqtarëve sipas nenit 108 respektivisht 84 të Kushtetutës, pas njoftimit që i bëhet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe zyrës time me emrat dhe përvojat profesionale të këtyre, gjyqtarëve dhe

(b) të propozimit dhe emërimit të prokurorëve sipas nenit 110 respektivisht 84 të Kushtetutës, pas njoftimit që i bëhet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe zyrës time me emrat dhe pojat profesional e këtyre prokurorëve.

Këta gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it do të autorizohen sipas përshkrimit të dhënë në nenin 104 respektivisht 109 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve tjera përkatëse.

Po ashtu, policët e EULEX-it do ta kenë autoritetin, pas njoftimit me emrat e tyre që i bëhet Ministrit për Punë të Brendshme për të punuar në nivel qendror (duke përfshirë edhe nivelin e ministrisë), rajonal dhe atë lokal.

Sipas nevojës, stafi i EULEX-it autorizohet që të mbajë armë. Ndërmjet Misionit dhe Ministrisë për Punë të Brendshme do të arrihet një marrveshje lidhur me sistemin e regjistrimit të armëve të cilat i mbajnë një numer i kufizuar i stafit të misionit, duke e pasur parasysh nevojën e balancimit të kërkesave për transparencë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për mbrojtjen e një numri të caktuar të pjesëtareve të stafit për shkak të funksioneve të tyre.

Gjyqtarët, prokurorët dhe policët e EULEX-it do të vazhdojnë të shërbejnë në pajtim me ligjet e Kosovës, si është kërkuar edhe më herët në Aneksin IX, neni 2.3 i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës. Kjo ftesë do ta mbështesë EULEX- in në mandatin aktual deri me 15 qershor 2014.

Varësisht nga vlerësimi i përbashkët, kjo do të duhej të ishte data e pritshme e përfundimit të misionit EULEX në Kosovë.

Me anë të kësaj konfirmoj se TFHS me prokurorë dhe staf mbështetës nga EULEX-i do ta vazhdojë punën deri në njoftimin e Kosovës nga Këshilli i Bashkimit Evropian për përmbylljen e hetimeve ose të procedurave që janë si rrjedhojë e tyre.

EULEX-it në Kosovë, zyrave dhe personelit të tij (duke i përfshirë ekspertët në mision), njëherësh edhe Përfaqësuesit Special të BE-së (PSBE), zyrave dhe personelit i tij (duke i përfshirë edhe ekspertët në mision), u jepen statusi, privilegjet dhe imuniteti i barasvlershëm me përcaktimet nga Konventa e Vjenës, e dates 18 prill 1961, e zbatuar me anë të Ligjit Nr. 03/L-033 plr Statusin, Imunitetin dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike e Konsullore dhe të Personelit të tyre dhe të Prezencës Ushtarake Ndërkombltare dhe të Personelit tyre në Kosovë.

Me pranimin tuaj të ftesës së përmbajtur këtu, ne do te marrim përsipër, sipas nenit 18 dhe dispozitave tjera relevante të Kushtetutës dhe Ligjit të aplikueshem në Kosovë, dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe/ose me PSBE, përmes Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL), çfarëdo përkushtimi shtesë ose modaliteti të nevojshëm për ta lehtësuar funksionimin efektiv të misionit EULEX në Kosovë.

Dëshiroj edhe njëherë që ta përsëris përkushtimin tonë të plotë për sundimin e ligjit për të gjithë qytetarët tonë. Unë ju falënderoj për kontributin tuaj të vazhdueshëm për paqe dhe stabilitet në Kosovës dhe e mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë duke kontribuar për një Kosovë shumetnike, demokratike dhe të begatshme, si dhe ta sjellim Kosovën sa më afër integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Republikës së Kosovës”, përfundon letra e presidentes Jahjaga.

Letra e Baroneshës Ashton

“E nderura zonja Presidente,
Me anë të kësaj po ju njoftoj për pranimin e letrës suaj në të cilën ju e keni ritheksuar përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për bashkëpunim të plotë me misionin EULEX në Kosovë. Unë e pranoj ftesën tuaj të përmbajtur aty për vazhdimin e përmbushjes së mandatit të misionit EULEX në Kosovë në frymën bashkepunimit të ndërsjellë.

Për hir të qartësisë ju kam bashkangjitur një kopje të letrës suaj.

Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që t’ju shpreh falënderimin tim të sinqertë për përkushtimin tuaj për t’ia ofruar tërë ndihmën e nevojshme misionit EULEX- KOSOVË në kryerjen detyrave të tij në mënyre efikase dhe efektive në tërë Kosovën.

EULEX-i do t’i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë përcaktuar në veprimin e përbashkët 2008/124/CFSP per Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX KOSOVË i miratuar dhe ndryshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian me 4 shkurt 2008.

EULEX-i do t’i ndihmojë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejmë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe shumetnik, si dhe të një shërbimi shumetnik policor dhe doganor në rrugën e tyre drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse. Kosova ka perspektivë evropiane sikurse i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Gjatë përmbushjes se mandatit të tij, EULEX-i do të kontribuoj në lehtësimin e përparimit të Kosovës drejt integrimeve të mëtejme në BE. Në fund, pres që bashkëpunimi ynë i ngushtë të vazhdojë duke kontribuar kështu në forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”, thuhet në letrën e Baroneshës Ashton, si përgjigje në letrën e Jahjagës./InfoGlobi/

@infoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.