Ballina / BLOGU / Lehtësia e padurueshme e etiketimit

Lehtësia e padurueshme e etiketimit

Dush Gashi

Se në debatet tona publike, kur na mungojnë argumentet për të mbrojtur qëndrimet tona i qasemi me lehtësi etiketimit të kundërshtarit – këtë e dimë tashmë, mjafton të përcillet thuaja cilado seancë e parlamentit. Shtypi ynë, pastaj, gjithnjë e më sensacionalist në garën e padenjë të mizërisë së portaleve në internet, i replikon ato në kopje të panumërta, duke i vënë edhe në tituj të lajmeve, në vend të porosive politike.

Ndonjëherë edhe ndonjë i huaj kapet në këtë rrjet. Por, pos se dalim qesharak para botës dhe i bëjmë vetes një bumerang, të etiketuarit në këto raste s’pësojnë gjë.

Të premten e kaluar, në disa portale u publikua lajmi me këtë titull: “Palmer: Gruaja ime vjen nga Beogradi, fëmijët e mi flasin gjuhën serbe”. Fjala është për Matthew Palmerin, zëvendës-ndihmës i sekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Byronë për çështje europiane e euroaziatike, me përgjegjësi të veçanta për Ballkanin Perëndimor dhe regjionin e Egjeut. Me një fjalë, tash për tash është njeriu kryesor i Uashingtonit, i angazhuar në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që e dëshmojnë edhe vizitat e tij të shpeshta në Ballkan dhe udhëtimet në relacionin Prishtinë – Beograd e anasjelltas.

Burimi i lajmit është një artikull i BBC-së në gjuhën serbe, në të cilin profili diplomatik i Matthew Palmerit shoqërohet me një intervistë me të pikërisht për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, apo citohen deklarata të tij të mëhershme me këtë temë. Meqë titulli nuk është vënë as nga njëra as tjetra pjesë a shtresë e artikullit, dhe ndonëse nuk përmban analizë apo koment, me vetë faktin se është shkëputur vetëm pjesa në të cilën ai tregon se e ka gruan beogradase dhe fëmijët e tij flasin serbisht, dhe me prezantimin e lajmit si lajm që tregon se “… Palmer ka bërë të ditura lidhjet e tij me Serbinë”, atëherë nënteksti i tij është pothuajse i qartë: Palmer është proserb! Si i tillë, sigurisht se mund ta dëmtojë Kosovën në bisedimet me Serbinë!

Tendenca e këtij lajmi gjen truall shumë të përshtatshëm për të zënë vend ndër shqiptarët e Kosovës, të cilët që nga 1912-ta e largët e këndej e kanë ruajtur qëndrimin negativ ndaj atyre që bashkëpunojnë me pushtetin serb, ndërsa gjithmonë ndër më të urryerit i kanë konsideruar ata politikanë, të cilët edhe kanë qenë të martuar me gra serbe. Emocionet e forta, të cilat i shkakton kjo analogji, lë nën hije çdo shqyrtim racional. Ndërsa, një shqyrtim racional thotë se, nëse një shqiptar nën pushtimin serb, bashkë me gruan serbe, postin e lartë me të gjitha privilegjet që ka sjellë ai post krijon edhe mentalitetin kolonial, inferior ndaj çdo gjëje të Serbisë, një perëndimor, e aq më pak një amerikan, nuk ka nevojë të ndjehet inferior ndaj asnjë vendi tjetër a kombi në botë, ndërsa është qesharake të mendohet se do të ndjehet i tillë nëse martohet me një grua të një kombi tjetër.

Pa dashur ta idealizoj, qesharake është po ashtu të mendosh se Amerika me “politikë dhëndurësh” do të arrinte atje ku ka arritur, ndërsa edhe vetë Palmer do të ngritej në karrierë. Po të kishte marrë dikush mundin ta përkthente artikullin e tërë, atëherë do të shihej se është fjala për një diplomat tepër serioz, i cili me Ballkanin, Serbinë e Kosovën është marrë që nga viti 1997 dhe se, po të kishte prirje të sillej si “dhëndër i dëgjueshëm” deri tash do t’i kishtë dalë “tymi” kaherë. (Meqë ra fjala, edhe Amerikës po i ndodh një incident ‘dhëndurësh’, në formën e Jared Kushnerit, por është ky një rast i mirë ta përcillni se si vetë Amerika ballafaqohet me lëshime të tilla!) Pastaj, kush po i dika qëndrimet politike të gruas së Matthew Palmerit, apo e të afërmve të saj?!

Të jesh i afërt me serbët dhe t’ua duash të mirën, nuk do të thotë fare që duhet t’u ndihmosh që ta mbajnë Kosovën! Mund të jetë pikërisht e kundërta. Serbët më racionalë, madje edhe nacionalistët më realistë, e pranojnë se pavarësia e Kosovës është punë kryer dhe më e mira për Serbinë e serbët është ta njohin këtë fakt. Edhe vetë kryeministri i vrarë Xhinxhiç, i çmuar ndër serbët si mi i dituri, ndonëse po ashtu nacionalist, ka thënë përafërsisht kështu: Me sa kam vërejtur unë, gjatë historisë, Kosova i ka shërbyer Serbisë vetëm për një qëllim – për ta ruajtur pushtetin e keq!

E kuptoj, tash mund të pyeteni po pse ky narrativ nuk është dominues në Serbi dhe se nga Serbia zyrtare dëgjohen vazhdimisht zëra të kundërt me të? Për përgjigje në këtë nuk duhet shkuar më larg së në Prishtinë e Tiranë, për ta parë se, ndonëse me përmbajtje tjetër, edhe politika shqiptare është po aq joracionale.

Dëshmi e kësaj është edhe vetë ky “lajm”, i cili prejardhjen e ka pikërisht nga Tirana, ndërsa mediet kosovare e kanë marrë pa qëndrimin e duhur kritik. Meqë ishte mu Matthew Palmer ai i cili e paraqiti qëndrimin e State Departmenti Amerikan se “ShBA-ja e sheh 30 qershorin si ditë të zgjedhjeve në Shqipëri”, në përballjen e pakompromis të dy krahëve politikë të atjeshëm, nuk u kursye as Palmer dhe atëherë u bënë përpjekje që pozicioni i tij të relativizohet. Qëndrimi amerikan këtë herë vërtet e habi shumëkë, ndërsa kritik ndaj tij u shpreh edhe një David Philips. Por, është e paimagjinueshme që dikush jo me mjaft kompetencë, ta paraqesë qëndrimin e Stejt Departmentit.

Lajmi si i tillë, në Shqipëri kishte vlerë për ditën e zgjedhjeve, por në Kosovë shkakton më shumë dëm, duke krijuar konfizion e dyshime para një procesi të rëndësishëm për vendin. Ndërkaq, në një plan më të gjerë, përtej politikës ditore, porosia që dërgohet me këtë lajm është edhe më e trishtuar: nuk ka një botë ku gjërat trajtohen me parime, arsye e drejtësi, gjithkund është si te ne dhe realiteti është ashtu siç e interpretojnë krerët e fiseve tona politike!

Përndryshe, dashamirësia e Palmerit për popullin serb, në mënyrën si e shpreh ai, s’ka pse të mos jetë e pranueshme për të gjithë, edhe për shqiptarët: “Shumë do të dëshiroja ta shoh në rrugë të qartë drejt të ardhmes evropiane”.

Por, ky nuk është shkrim për Plamerin, diplomatët e diplomacinë, dhe as për bisedimet e Kosovës e Serbisë, po për ata të cilët zejen e gazetarisë e kanë marrë me lehtësi. Po aq sa edhe për lehtësinë e padurueshme të etiketimeve.

Provo po ashtu

Gjermani: Shënohet 30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit

Gjermania shënon sot 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit përmes një serie ngjarjesh, për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.