LDK kërkon nga institucionet identifikimin e shpifësve të lajmeve të rreme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraqitur kallëzim penal në Policinë e Kosovës, për lajmet e rreme me të cilat po sulmohen lidershipi i partisë dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

LDK ka kërkuar nga Policia që në bashkëpunim me Prokurorinë të identifikojë dhe të dërgojë para drejtësisë ata që po përhapin lajme të rreme kundër kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani.

Një ditë më parë, një faqe në Facebook, e cila mbështetë Lëvizjen Vetëvendosje, ka shpifur se gjoja LDK dhe Vjosa Osmani po paguan nga 10 euro pjesëmarrësit nëpër tubimet elektorale të LDK-së.

“Kundër kësaj shpifje të ulët, LDK-ja i ka dëshmitarë dhjetëra mijëra anëtarë, përkrahës dhe qytetarë, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet tona, me dëshirë dhe vullnetin e tyre të lirë”, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

LDK i bën thirrje Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve tjera ligjzbatuese, që të hetojnë dukurinë e lajmeve të rreme dhe denigruese, pasi që kjo dukuri përbën vepër penale dhe është shkelje e rëndë e rregullave të procesit zgjedhor.

Kjo parti thotë se ju bën thirrje vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë të zgjedhjeve, si dhe ambasadave të vendeve mike, që të përdorin ndikimin e tyre për ndërprerjen e këtyre dukurive të ulëta që dëmtojnë procesin zgjedhor.

“LDK i garanton të gjithë qytetarët se vota e tyre e lirë në zgjedhjet e 6 tetorit është e garantuar, prandaj kërkojmë konsistencë për përkrahjen e programit dhe kandidates tonë, Vjosa Osmani”, thuhet në përfundim të këtij njoftimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.