Ballina / KRYESORE / Lazarat, ja kush qëlloi mbi oficerin e RENEA-s

Lazarat, ja kush qëlloi mbi oficerin e RENEA-s

Vijon operacioni i Policisë në Lazarat për kapjen e personave, të cilët qëlluan me armë ndaj efektivëve të policisë, ku si pasojë oficeri i RENEA-s, Ibrahim Basha, humbi jetën, ndërsa dy efektivët e tjerë, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, u plagosën dhe po trajtohen në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. Gjatë mbrëmjes së të mërkurës dhe deri ditën e enjte janë dorëzuar, kapur dhe shoqëruar nga forcat RENEA gjatë kontrolleve në banesa në Lazarat rreth 47 persona, banorë të këtij fshati.

Mbrëmjen e djeshme u kapën nga forcat RENEA edhe Klodian Selimi dhe Aleksandër Basha. Nga 47 të shoqëruarit, vetëm 2 janë arrestuar. Burime nga policia e Gjirokastrës thonë se të arrestuarit janë 17- vjeçari Xhuljano Malo dhe 30-vjeçari Sinan Rabaj. Sipas njoftimit të policisë për 24 personat, të cilët janë pjesë e të shoqëruarve, po vijojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër.

Ndërsa 18 personat e tjerë pas verifikimeve të kryera janë lënë të lirë. Pritet të lirohen me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda edhe personat që u vetëdorëzuan në polici, pasi u shpallën në kërkim si autorë të dyshuar. Pas verifikimeve, rezultoi se disa prej tyre nuk kanë qenë fare në brendësi të Lazaratit natën e së martës, duke u gdhirë e mërkurë. Disa nga të dorëzuarit, sipas familjarëve, ishin në shtëpitë e tyre në Gjirokastër, Fier, Vlorë e Tiranë, ndërsa një prej tyre ndodhej në burg. Gjithsesi prokuroria pret të dhënat e kompanive celulare për të provuar vendndodhjen e tyre dhe ekzaminimin shkencor për mbetjet e barutit në duar apo në veshje. Policia njofton se operacioni vijon që prej ditës së mërkurë dhe nuk është ndërprerë asnjë çast. Operacioni do të vijojë deri në kapjen e personit të fundit që goditi me armë policinë.

Hetimi për ata që qëlluan mbi forcat RENEA

Gjatë ditës së djeshme forcat speciale RENEA dhe FNSH kanë rinisur kontrollet në fshatin Lazarat dhe në banesat e personave të shpallur në kërkim. Hetuesit e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë nisur rindërtimin e skemës së kurthit ndaj policisë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm hetuesit identifikuan pika të sakta nga ku është qëlluar mbi efektivët e RENEA-s gjatë ditës së mërkurë në Lazarat, ku nga një plumb me snajper gjeti vdekjen Ibrahim Basha dhe mbetën të plagosur 2 kolegë të tij, Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj. Hetuesit dolën në përfundimin se vrasësit kanë qëlluar nëpërmjet një vrime të hapur në një mur rrethues. Policia dyshon se pozicioni për snajper është parapërgatitur dhe sulmi ndaj patrullave të policisë ka qenë një kurth i mirëmenduar.

Ibrahim Basha, bashkë me dy kolegët e tij, kishte mbërritur në vendngjarje me një autokolonë të RENEA-s: dy mjetet e para ishin të blinduara, i treti ku udhëtonte ai bashkë me Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, ishte një furgon policie ngjyre blu, tip “Volkswagen” pa mbrojtje anti-plumb. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dy personat kryesorë të grupit prej 21 personash që hapën zjarr me policinë dhe akuzohen si autorë të vrasjes me dashje të specialit të RENEA-s, Ibrahim Basha, janë vëllezërit Albion dhe Alban Aliko, përkatësisht 20 dhe 18 vjeç. Grupi hetimor sqaron se, veç murit rrethues që dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit si një front për të qëlluar mbi policinë, janë identifikuar dhe 10 vende të tjera në të cilat janë gjetur gëzhoja armësh dhe municione.

Sipas hetuesve, këto vatra zjarri tregojnë pikërisht itinerarin që vrasësit kanë ndjekur bashkë me bashkëpunëtorët e tyre për t’u larguar nga vendi i vrasjes, duke vazhduar zjarrin ndaj policisë. Pjesë e ekzaminimit është bërë dhe fugoni i policisë, në të cilin udhëtonin efektivët e RENEA-s që u qëlluan. Provat materiale të sekuestruara nga hetuesit në këto vendngjarje janë 100 gëzhoja automatiku kallashnikov, një granatë dore, si dhe një armë e ftohtë thikë. Gjithashtu është sekuestruar edhe kamioni që të dyshuarit kishin përdorur për të rrëzuar një mur rrethues, për të pasur një pamje më të mirë të rrugës ku do të kalonin makinat e policisë. Ky kamion ishte vendosur në hyrje të Lazaratit për të bllokuar rrugën nga ana e përroit.

Të dyshuarit, si autorë të vrasjes së efektivit të RENEA-s

Nga të dhënat e deri tanishme burime nga grupi hetimor thonë se shkak i sulmit u bënë pakënaqësitë e këtyre personave për kontrollet e herëpashershme në banesat e tyre dhe prania e shtuar e policisë në fshat. Deri më tani rezulton se dy janë organizatorët e grupit, Arbion dhe Albano Aliko, që të dy nga Lazarati. Arbion Aliko mbahej prej disa muajsh në përgjim. Dyshohet se grupi i armatosur përdorte rregullisht hashash dhe kokainë dhe me nisjen e sulmit kishin kërkuar më shumë armë, municione dhe drogë nga Xhuljano Malo.

Pas telefonatës së Arbion Alikos, 17-vjeçari Xhuliano Malo ishte nisur nga një fshat i Tepelenës me makinë që t’i sillte municionet për shokët e tij. Në orën 8 të mëngjesit policia ka pikasur makinën e bardhë tip “Benz”, pa targa, të cilën e ka ndaluar në rrugë. Sapo forcat RENEA mbërritën për ta shoqëruar Xhuljano Malon për në qelitë e paraburgimit në Gjirokastër, në drejtim të tyre u qëllua nga grupi i armatosur, duke lënë të vdekur efektivin Ibrahim Basha dhe të plagosur dy efektivët e tjerë, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.

Mëngjesin e së enjtes, policia ka mundur të hyjë në fshat, por nuk ka gjetur dhe arrestuar asnjë nga të dyshuarit e shpallur në kërkim. Burime pranë prokurorisë thonë se ka nisur procedimin penal për dy vëllezërit e dyshuar si vrasësit e efektivit Basha, Arbion Aliko dhe Albano Aliko, të cilët akuzohen për veprën penale “vrasje me dashje në rrethana cilësuese”. Arbion dhe Albano Aliko janë dy emra jo të panjohur për forcat e policisë. Ata ishin pjesë e listës së personave të shpallur në kërkim gjatë aksionit antidrogë që u zhvillua një vit më parë. Të dy shtetasit janë në kërkim dhe mendohet se fshihen ende në Lazarat. Ndërkohë, sipas njoftimit të Prokurorisë, shtetasi Xhuliano Malo, i cili u arrestua të mërkurë pasi drejtonte automjetin e pajisur me municione, akuzohet për armëmbajtje dhe municione pa leje./shekulli

Provo po ashtu

serbia-kosova_

‘Trumpi i kërkon Serbisë ta njohë Kosovën’

Grenell tekstualisht ka vënë kusht – Serbia duhet ta njohë Kosovën strong shkruan gazeta beogradase. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.