Lampard i thotë lamtumirë futbollit

Frank Lampard i jep përfundimisht lamtumirën futbollit të luajtur duke i dhënë fund një karriere 21 vjeçare.

38-vjeçari e komunikoi tërheqjen nga ky sport nëpërmjet një komunikate në profilin e tij në “Instagram”.

“Pas 21 viteve të mrekullueshëm, vendosa që të mbyll karrierën time si futbollist”, lexohet në komunikatën e Lampard. “Kam marrë oferta të shumta për të luajtur, por jam 38 vjeç dhe e ndjej se ka ardhur koha që të hap një tjetër kapitull në jetën time. Jam krenar për trofetë që kam fituar, për faktin që kam përfaqësuar vendin tim në më shumë se 100 ndeshje dhe që kam mundur të shënoj mbi 300 gola në karrierën time”, shkruan Lampard.

2 shkurt 2017 do të mbahet mend në histori si data e lamtumirës së një prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit. Një mesfushor modern, në gjendje të shënojë gola, të japë asist, me klas të jashtëzakonshëm dhe personalitet e profesionalizëm të pashoq. Ndoshta mesfushori më i mirë anglez në histori, së bashku me Gerrard dhe Beckham.

Thjesht një legjendë, ashtu siç u cilësua me të drejtë edhe nga faqja zyrtare e Premier League në “Twitter”. ​Lampard është një prej lojtarëve të paktë që kanë luajtur mbi njëmijë ndeshje në karrierë, prej të cilave plot 607 vetëm në Premier League, ku numëron edhe 177 gola të realizuar dhe 102 asist.

Ai është shënuesi më i mirë në historinë e Chelsea-t, pavarësisht se renditet i treti në klasifikimin special për ndeshje të luajtura me blutë e Londrës. Ndërkohë, me përfaqësuesen angleze, Frank Lampard ka koleksionuar 29 gola në 106 ndeshje.

Në karrierën e jashtëzakonshme, mesfushori ka fituar dy Superkupa të Anglisë, dy Kupa të Ligës, 4 Kupa të Anglisë, një trofe të Europa League, por mbi të gjitha tre tituj kampion në Premier League dhe një trofe të Champions në sezonin 2011/2012.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!