Kuvendi sot shqyrton Projektligjet për liberalizim

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës deputetët do të shqyrtojnë në lexim të dytë nëntë projektligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave: Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjin kundër diskriminimit, Projektligjin për barazi gjinore, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve dhe atë për kompensimin e viktimave të krimit.

Në këtë seancë, do të shqyrtohet në parim edhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Nesër ndërkaq, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, gjatë të cilës do të shqyrtojë Propozim-Amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia kërkoi nga qeveria që për seancën e 29 majit, të procedojë në Kuvend Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.