Kush ka të drejtë mbi Arktikun?

Shkruan: Rudina JAKUPI/ InfoGlobi

Oqeani i Arktikut po shkrihet dhe atë me shpejtësi marramendëse. Ne verën e vitit 2007 ky rajon i mbuluar me akull u tkurr për me shume se 1 milion milje katrore duke e zvogëluar akullin deri ne gjysmën e madhësisë se tij. Për herë të parë,  u mundësua kalimi nga kjo pjesë e botës në kontinentin e Azisë shumë më shpejt se zakonisht. Pyetja më nuk është nëse Arktiku do të shkrihet, tani problemi qëndron në atë se kur do të mundësohet kalimi i plotë në Oqeanin Arktik për përfitime ekonomike por edhe eksploatim të resurseve natyrore.

Kjo gjë veç se ka filluar javën e kaluar me vendimin e Obamës për të lejuar kompaninë Shell të vazhdoj me shpuarjën e sipërfaqes se Arktikut për të ekstraktuar naftën që gjendet nën sipërfaqen e akullit. Ky vendim i Obamës nuk kaloj pa kritika meqenëse sipas shumë ambientalistëve është në kundërshtim me strategjinë e publikuar me pare për të luftuar ngrohjen globale.  Obama u zotua që do të ulë nivelin e emetimit të gazit për 26-28% deri  në vitin 2025. Mirëpo, vendimi i sapo marrë nuk përkon me politikat e ‘gjelbërta’ të cilat kjo administratë i ka promovuar deri tani.

Arktiku ka shumë rëndësi për pesë shtetet që e rrethojnë: Danimarka, Norvegjia, Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Këto shtete janë shumë të interesuara që të kenë të drejta mbi këtë regjion pikërisht për shkak se ky rajon është shumë i pasur me resurse natyrore. Instituti Gjeologjik I SHBA-se dhe kompania Norvegjeze StatoilHydro vlerësojnë se Arktiku mban një të katërtën e depozitave të naftës dhe gazit natyror në gjithë botën. Pra, duke marrë parasysh këtë gjë nuk mund të themi që jemi të befasuar me pretendimet territoriale të shteteve që e rrethojnë Arktikun.

Mirëpo, problemi nuk është kaq i thjeshtë. Nëse vazhdohet me shpuarjen e Arktikut  kjo jo vetëm që do të sjellë telashe në aspekt të së drejtës ndërkombëtare por gjithashtu bart me vete edhe pasoja të shumëfishta ambientale. Gjatë shpuarjës së Arktikut, nafta mund të derdhet dhe do të ishte gati e pamundur që të pastrohet për shkak të kushteve ambientale ekstreme në Arktik. Kjo vetëm se do ta përkeqësojë problemin me ngrohjen globale dhe do të ketë pasoja në gjithë rajonin.  Për më tepër, këto vende e shpërfillin faktin se në këtë rajon jetojnë popuj autokton (Sami psh)  të cilët shtrihen në shumë shtete rreth polit të Veriut dhe janë po këta popuj që do të  ndikohen drejtpërsëdrejti nga shpuarja e Arktikut.

Duke parë situatën e kohës se fundit, është krejtësisht e natyrshme të pyesim se nëse është e drejtë dhe legjitime ajo çfarë këto shtete po kërkojnë të bëjnë? Administrata e Obames, duke dashur të justifikojë vendimin e marrë, ka deklaruar që ky aksion do të kryhet me standardet më të larta ambientale. Për më tepër, Obama ka deklaruar që ky vendim vetëm se kontribuon në sigurinë energjetike dhe nuk është në kundërshtim me politikat e tij të mëparshme.

Por kritikë të shumtë e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimit te Obamës. Sa kanë të drejtë këto shtete të kërkojnë ekstraktimin e resurseve natyrore të Arktikut? Duke marre një qëndrim kosmopolitan, këto shtete vetëm pse gjenden afër Arktikut nuk duhet të kenë kurrfarë të drejta mbi resurset natyrore të tij.

Beitz shkruan “Fakti qe dikush është afër resurseve natyrore nuk i jep të drejtën që ai ose ajo të përjashtojë të tjerët nga përfitimi që mund të sjellin ato(resurset natyrore)”. Në literaturën mbi drejtësinë globale, principi i barazisë sillet ne nivel global. Sipas po kësaj teorie, është krejtësisht çështje fati nëse njerëzit lindin në vende të varfra ose të pasura dhe kështu kërkohet që këta njerëz të kompensohen për fatin e tyre të keq dhe të pamerituar. Duke vazhduar me këtë linje të mendimit egalitarian, resurset e Arktikut duhet të jenë subjekt i një distribuimi ose ndarje të barabartë ndërmjet palëve të interesuara. Është e padrejtë që ata të cilët kanë më shumë fuqi, në këtë rast SHBAja, të merr kontroll të plotë mbi resurset natyrore të Arktikut duke anashkaluar popujt autokton të cilët jetojnë në ato vende shekuj me radhë.

Sipas Nine, ne jo vetëm që duhet të refuzojmë pretendimet territoriale të këtyre shteteve por edhe duhet të refuzojmë kërkesat e tyre për të drejtën mbi resurset natyrore, thellë ndër akull. Sipas saj, një komb mund të ketë të drejta mbi këto resurse vetëm nëse ka ‘mbizotërim të ligjit’ në atë vend, duke nënkuptuar që një territor nuk mund themelohet aty ku nuk ka njerëz. Rasti i Antarktikes mund të merret si shembull i përkryer. Por rasti i Antarktikes ndryshon nga Arktiku për shkak se në Antarktikë nuk jeton askush, ndërsa ne Arktik ekzistojnë popuj dhe fise autoktone të cilat janë të mësuar me atë mënyrë të jetesës. Prandaj, çështja qëndron kështu – sipas kësaj teorie, ata që kanë të drejtën legjitime mbi këto resurse janë vetëm popujt autokton. Por historia na dëshmon që me të dobëtit rrallë e hiq marrin atë çfarë me të drejtë u takon. Realisht, duke parë që shtetet rrallë herë shohin përtej interesave egoiste që janë të bazuara në ekonomi, është shume e vështirë të themi që këta popuj i pret një e ardhme e ndritshme – si në aspektin politik, shoqëror e ekonomik por edhe në atë ambiental.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.