Dionis_filozofi

Kush ishte Dionis filozofi

Ngjarjet e shtatorit të vitit 1611, përveç karakterit çlirimtar e antifeudal ishin dhe një moment domethënës konflikti fetar.

Dështimi i kryengritjes së Dionis filozofit e rëndoi dhe më tej gjendjen e të krishterëve të sanxhakut të Janinës.

Turqit e shkatërruan nga themelet manastirin e Shën Dhimitrit, ku peshkopi Dionis kishte ngritur shtabin e kryengritjes. Nga ana tjetër Osman Pasha për një çast dha urdhrin që të vriste të gjithë të krishterët që jetonin brenda kështjellës së Janinës, të cilët shpëtuan nga arsyeja e shëndoshë e ndonjë oborrtari të tij. Por janiniotët i humbën të gjitha privilegjet.

Osman Pasha i dërgoi një raport sulltanit, duke i denoncuar të krishterët si të pabesë e armiq të perandorisë.

Për rrjedhojë nga Kostandinopoja erdhi urdhri që t’i përzinin nga kështjella.

Të dëbuar prej andej, të krishterët shqipëtarë u shtrënguan të jetonin në shtëpi të vogla, të ndërtuara me ngut jashtë mureve, duke rënë në gjendje të përulur e të përunjur.

Autori i kronikës, studiuar hollësisht nga profesor Xhufi, kujton plot melankoli se deri në atë kohë edhe pse nën sundimin turk, shqiptarët e krishterë të Janinës kishin arritur të kishin hegjemoninë e tyre ekonomike dhe politike, ishin pronarë timaresh, kontrollonin sistemin e taksave dhe kujdeseshin për mbrojtjen e kështjellës. Aty kishte një numër të vogël turqish që përgjigjeshin thjesht për topin e kështjellës. Pra deri në vitin 1611 kështjella e Janinës ishte në duart e banorëve të krishterë shqiptarë.

Pas kryengritjes së vitit 1611 shqiptarët u dëbuan duke rënë kështu në pozitën e rajasë.

Pikërisht në këtë kohë filloi islamizimi masiv i popullsisë vendase që përfshiu pjesën më të madhe të zonës së Çamërisë dhe të Janinës.

Po kush ishte Dionis Filozofi?

Sipas të dhënave që ka grumbulluar historiani i mirënjohur Pëllumb Xhufi në kohën e kryengritjes Dionisin e përshkruajnë “një shtatëdhjetvjeçar të kërrusur nga pleqëria”. Kështu shprehet rivali i tij Maksimi, peshkop i Peloponezit.

Sipas përllogaritjeve i bie që filozofi të ketë lindur në vitin 1540. Vendi i lindjes së tij me siguri është Paramithia.

Hapat e parë të arsimit dhe karrierës kishtare Dionisi i hodhi në manastirin e Shën Dhimitrit të Dihurnit, në vendlindjen e tij në Paramithi ku u bë dhe murg. Më tej studioi filologji, filozofi dhe mjekësi në Venedik ose Padova. Studimet i kompletoi në Kostandinopojë ku shërbeu për ca kohë pranë Patriarkanës Ekumenike. Maksimi e akuzon Dionisin si nismëtar të luftës për pushtet dhe trazirave në kishën e madhe. Në vitin 1592 Sinodi i shenjtë e zgjodhi mitropolit të Larisës ku nuk do të rrinte për një kohë të gjatë.

Duke qenë se ky personalitet do kishte 2 përmasa ai do bëhej objekt i sulmeve të egra nga ana e Patriarkanës së Stambollit dhe klerit grek nga të cilët do të quhet shpesh demon, ndërsa populli i thjeshtë që e zgjodhi prijës të tij do e quante Filozof për arsye të dijeve që kishte.

Por ajo që vihet re ishte fakti se gjithë jetën e tij ai nuk ishte dakord që kisha t’i nënshtrohej sulltanit ndaj dhe u quajt djall nga kundërshtarët e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.