Kush e kërcënon ministrin Tahiri?

Kërcënohet për jetën me anë të një mesazhi ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Në mesazhin kërcënues të mbërritur në telefonin celular të ministrit Tahiri shkruhej: “Nëse merresh me familjen Gjuta, do ta pësosh”.

Pas këtij mesazhi pati kontrolle nga agjentët e Policisë së Tiranës në bizneset dhe vilat e familjes Gjuta ditën e djeshme.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të Ministrisë së Brendshme, të cilat konfirmojnë se në momentin që Tahirit i është dërguar mesazh kërcënues në telefonin celular ka qenë së bashku me 3 agjentë italianë të antiterrorit, duke biseduar për shtetasin e shpallur në kërkim, Baftjar Bruka.

Ky i fundit, anëtar i një organizate terroriste në Itali, dyshohet të ketë vendosur eksplozivin në biznesin e babait të ministrit. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet për kërcënimin ndaj ministrit Tahirit, duke verifikuar numrin e kartës SIM nga është dërguar mesazhi.

Nga teksti që përmbante mesazhi kuptohet që personi i cili e ka dërguar, është pjesë e familjes Gjuta. Vladimir Gjuta deri më tani sipas hetimeve, është një prej të dyshuarve kryesor për atentatin me tritol ndodhur më 10 shkurt në biznesin e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Bashkim Tahiri.

Për të njëjtën çështje u arrestuan kushërinjtë e personit të dyshuar si autor, Ernest Gjuta dhe Emirjon Gjuta, ku i fundit u la i lirë nga Gjykata e Apelit, duke ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm terrorist ministri i Brendshëm, sipas burimeve ka ditë që lëviz me një makinë të blinduar dhe me eskortë të përforcuar.

Po sipas informacioneve nga MB-ja, një nga personat e shpallur në kërkim nga policia, Vladimir Gjuta, ka qenë në Tiranë kur Tahiri është kërcënuar me mesazh.