fbpx

Kush e huqi dhe si u bë deputet personi me dosje penale

Kryetarja e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, është arsyetuar lidhur me certifikimin e deputetit nga radhët e komunitetit pakicë, Etem Arifit, në seancën publike që po mbahet nga Gjykata Kushtetuese.

Daka, pasi kryetari i Legjislacionit të Kuvendit, Shkëmb Manaj, ka potencuar se KQZ-ja nuk i ka nxjerrë ndonjë problem lidhur me deputetin Arifi, ka sqaruar ligjërisht procedurat e certifikimit të deputetëve.

“Subjektet politike që kanë aplikuar duhet dorëzuar nga kryesuesi i partisë formularin e certifikimit të kandidatit, si dhe atë financiar. Secili e konfirmon që ai i përmbush të gjitha kriteret për ta mbajtur një post, që nuk ia ndërpret veprimtarinë atij më tej. Zyra për certifikim më 6 shtator 2019 ka marrë kërkesën e Partisë së Ashkalinjve për Integrim, ku kandidat për deputet ishte Etem Arifi. Z. Arifi ka ofruar një formular, ku kandidati deklaron se kandidatura e tij është në përputhje të plotë me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Astrit Hoti në seancës e sotme dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese tha se ata nuk kanë pasur asnjë kërkesë zyrtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për t’i informuar nëse kandidatët për deputetë kanë dosje penale, apo jo.

“KGJK në bazë të kërkesës së KQZ-së gjithherë ka dhënë informacione të këtij institucion lidhur me kandidaten që kanë aplikuar për deputetë nëse kanë dosje penale, apo jo. Mirëpo në këto zgjedhjet fundit ne nuk kemi pasur, as ne por as gjykata nuk kanë pasur një kërkesë zyrtare në të cilën ne si institucion do t’i kishim informuar si zgjedhjet e kaluara” u shpreh ai.

Gjykata Kushtetuese po mban seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshme të votimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe ish-deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, më 20 gusht 2019, ku ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

“Ne si Grup Parlamentar, mendojmë që, z. Arifi, që nga fshehja e informatave e deri te votimi i qeverisë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vota e Etem Arifit duhet të shpallet e pavlefshme dhe vendimi i kuvendit kundërkushtetues”, ka thënë përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë seancë, Blerim Sallahu.

Ai shtoi se vota e ish-deputetit Arifi, nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, ka qenë vendimtare, ndërkaq në bazë të dokumentacionit të ofruar, “konstatohet se ish-deputeti Arifi ka gënjyer dhe e ka mbajtur të fshehur faktin se ka aktgjykim të formës së prerë”.

Nga 29 shtator, deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, është duke vuajtur dënimin pasi ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Sipas vendimit të gjykatës, Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore lëshoi urdhërarrest, por Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit. Ai iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij, por më 23 shtator, Kushtetuesja njoftoi se nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka dërguar këtë rast në Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.