Ballina / KOSOVA / Kurti takon Rashiqin, paralajmëron takim me LDK-në javën që po vjen

Kurti takon Rashiqin, paralajmëron takim me LDK-në javën që po vjen

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti mëngjesin e sotëm e ka takuar përfaqësuesin e koalicionit serb ‘Sloboda’, Nenad Rashiq.

Pas një takimi mbi një orësh, Kurti shprehu vullnetin që Rashiq të jetë pjesë e qeverisë së tij, duke e cilësuar si njërin prej ministrave më të mirë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Zotëri Rashiq nuk e ka asnjë aferë, apo skandal të vetëm si ministër. Më duhet të them që njëri ndër ministrat më të mirë të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë është pikërisht Rashiq. Bisedova me të për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. Ky është shumë i zhgënjyer me parregullsitë dhe shkeljet e shumta. Edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar, edhe nga Rashiq çfarë kam dëgjuar mund të them që më shumë ka demokraci në Kinë se sa në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”, tha Kurti.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, tutje tha se takimi me Rashiqin nuk ishte takim për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

“Nuk ishte një takim për koalicionin e ardhshëm qeverisës, meqenëse aty ne duhet të merremi më shumë me bisedimet që i kemi me LDK-në…besoni ky është një hap i mëvonshëm, pasi që ne t’i përmbyllim bisedimet me LDK-në”, pohoi Kurti.

E sa i përket negociatave me Lidhjen Demokratike, Kurti paralajmëroi një takim për javën e ardhshme.

“Besoj që është e duhur edhe do të bëhet një takim i radhës në javën që vjen dhe padyshim që do t’i informojmë për ditën e saktë”, tha Kurti.

Për dallim nga Kurti, Nenad Rashiq përkundër insistimit nuk ka dashur të deklarohet për media.

Ndryshe, lideri i VV-së ka deklaruar shpesh se në qeverisjen e tij nuk do të ketë përfaqësues të Listës Serbe, por serbë që e respektojnë dhe e njohin Republikën e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.