Kurti planifikon dy ekipe për dialogun, presidenca i quan dëshira personale të tij!

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se me këshilltarët politikë kanë bërë një plan për dialogun e ardhshëm me Serbinë dhe se i duhen dy ekipe krahas njëra-tjetrës, në ndërkohë që presidenca ka reaguar duke i quajtur këto si dëshira personale të z. Kurti.

“Ekipi i parë politik përfaqësues, i përbërë nga kryeministri, presidenti, kryeparlamentarja dhe nga një anëtar i shtatë partive politike, pra do të jetë ekip dhjetëanëtarësh. E në anë tjetër një ekip ekspertësh i fushave të ndryshme. Jam në përgatitje të formimit të një ekipi të tillë. Ky ekipi varet prej meje ndërsa i pari nga gatishmëria e tjerëve”, ka thënë Kurti,

Këto komente z. Kurti I bëri gjatë një vizite që I bëri komunës së Prizrenit, ndërsa u pyet nga gazetarët rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Nga ana tjetër zyra për Informim e presidentit Thaçi ka reaguar rreth planeve të paralajmëruara nga Kryeministri në detyrë.

Përmes një njoftimi, kjo zyre ka bërë të ditur se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, duke e akuzuar Kurtin për shkelje të “hierarkisë kushtetuese”.

“Për presidencën, kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim. Rrjedhimisht, lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar “mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë”. thuhet në njoftimin e Presidencës.

Edhe dje kryeministri në detyrë Kurti e ka njoftuar të dërguarin të porsaemëruar të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, sllovakun Miroslav Lajçak se Kushtetuta e obligon atë, si kryetar i Qeverisë, që ta themelojë dhe udhëheqë ekipin negociator.

Në letrën dërguar Lajçakut, kryeministri në detyrë ia ka shpalosur atij planet për themelimin e një ekipi gjithëpërfshirës, në të cilin, përpos Kurtit si udhëheqës, anëtarë tjerë do të ishin: presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ashtu si edhe përfaqësues të partive politike të Kosovës./Infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.