Kurti: Nuk i kam thënë Grenellit se do ta heqim tarifën pa reciprocitet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar pjesën e intervistës së të  dërguarit të posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ku ai thotë se “Kurti më ka shikuar në sy dhe ka premtuar se do ta heqë taksën”.

“Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë”, ka shkruar Kurti, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook.

“Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV”, ka treguar Kurti.

“Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi”, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë.

“Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet”, ka deklaruar Kurti.

“Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial”, është shprehur Kurti.

Ky prononcim i Kurtit erdhi pas transmetimit të intervistës me z. Richard Grenell në T7.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.