kurti, mustafa
Nga arkivi

Kurti: Konsultimet me LDK-në do të vazhdojnë, pritet që qeveria të formohet në janar

Kandidati për kryeministër të Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetvëvendosje, Albin Kurti, duke iu referuar vonesave për formimin e qeverisë më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, tha se datën nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Albin Kurti ditë më parë kishte refuzuar dy ftesa të presidentit të Kosovës Hashim Thaci, për takim konsultativ rreth krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

Kurti theksoi se konsultimet me LDK-në do të vazhdojnë të intensifikohen dhe pritet që qeveria të formohet në janar.

“Presidenti e ka përcaktuar datën e seancës konstituive për 26 dhjetor kur ne ishim aty dhe në kohë rekord e konstituam Kuvendin. Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”.

Ai tha para gazetarëve se Lëvizja Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së poste të rëndësishme të cilat janë refuzuar nga ta.

“Në janar kemi përpara arritjen e marrëveshjes me LDK-në. 80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”, ka thënë Kurti para mediave.

Lideri i LVV-së tha se nuk ka kohë për të humbur dhe se qeveria duhet të formohet sa më shpejtë.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ndërkaq ka deklaruar se partia e tij është e angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me VV-në mbi bazën e rezultateve zgjedhore të gjashtë tetorit.

“Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjeter, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por ka ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend.

Mustafa përmes rrjetit Facebook i është përgjigjur Kurtit edhe lidhur me deklaratën e këtij të fundit se Lidhja Demokratike e Kosovës ia përcakton  datën për formimin e qeverisë e jo Presidenti.

“LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”, ka komentuar këte deklaratë të Kurtit Mustafa.

Sipas Mustafës “është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit”.

Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje,.Caktimi i mandatarit, marrja e manatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë,në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje, ka shtuar mes tjerash Mustafa.

InfoGlobi ka raportuar gjatë javës për ftohjen e raporteve mes LDK-së dhe Vetëvendosjes . Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës para konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më 26 dhjetor. Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.