Kurti e Osmani prononcohen për sulmin me vezë, Policia nisi hetimet

Lideri i Vetëvendosjes,  njëherësh Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se veprimet e opozitës nuk e shqetësojnë Qeverinë. I ka uruar punë të mbarë Avdullah Hotit, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.

Sulmin e ka dënuar edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila mes tjerash ka thënë se sulmet e këtilla nuk do t’i ndalin vendimet e qeverisë.

Ndrëkohë, Policia dhe Prokuroria janë vënë në kërkim të personave që sot e sulmuan me vezë, zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti, raporton Express.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë Gazetës Express se kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është inicuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi për Express.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngadalë ka filluar që të marrë përgjegjësinë për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.

Grupi Parlamentar i AAK’së ka publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, raportimet e mediave për këtë rast.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka dalë hapur pro sulmit me vezë ndaj Avdullah Hotit, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.

“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe vetë Hoti, duke thënë se ata që kanë organizuar sulmin e sotëm synojnë izolimin e Kosovës.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.

Edhe Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga drejtësia të merret me gjithë ata që nxisin dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë derisa ka kërkuar të ndërpritet praktika e mosreagimit të Policisë dhe Prokurorisë.

“Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.