Kuvendi_official

Kurti e Mustafa, negociata në prani të diplomatëve të Quint-it

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, janë duke mbajtur takim, në të cilën janë duke marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të Quint-it.

Takimi i Kurtit dhe Mustafës, ka nisur rreth orës 17:00, ndërkaq, që një orë më vonë, në Kuvendin e Kosovës kanë hyrë përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë dhe të ambasadave të vendeve të Quint-it.

Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, janë duke marrë pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh dorëheqjen e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si zgjidhje për nyjën e krijuar rreth marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas LDK-së, dorëheqja e Konjufcës do t’u hapte mundësi partive në negociata, Vetëvendosjes dhe LDK-së, që të ndajnë në mënyrë të barabartë pushtetin, ngase kjo pozitë do t’i bartej nën udhëheqje LDK-së, kurse pozita e kryeministrit Vetëvendosjes.

LDK-ja pretendon që pozitën e kryetarit të kuvendit ta mbajë deri në ditën kur kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, diku në pjesën e parë të vitit 2021. Duke kërkuar që Vetëvendosje me marrëveshjen për koalicionin qeverisës ta mbështesë kandidatin e LDK-së për president, kjo e fundit më pastaj do t’ia kthente postin e kryetarit të kuvendit Vetëvendosjes, kurse do të ruante për vete postin e presidentit të shtetit.

Ndërkaq sa u përket ministrive, Vetëvendosje dhe LDK kanë një marrëveshje që ato të ndahen pesë me pesë, si dhe dy ministri për pakicat.

Por, një zgjidhje e tillë, e cila do të çonte në dorëheqje kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca, deri më tani është kundërshtuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Lideri i saj, Albin Kurti, i mandatar për postin e kryeministrit, ka thënë se nëse LDK-ja e ka ndarë mendjen se kjo është oferta “merre ose lëre”, kjo sipas tij nënkupton “lëre” ofertën.

Për të ndihmuar në përafrimin e qëndrimeve dhe arritjen e marrëveshjes, Vetëvendosje kishte paralajmëruar se në negociatat e radhës do të ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, para se të hynte në takim ka thënë se LDK-ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj, duke thënë se propozimi të cilën e ka ofruar kjo parti është zgjidhja që funksionon dhe që u ofron të dyja palëve partneritet të fortë dhe balancim të pushteteve.

LEXO edhe:

Përgjigjet QUINT-i: Ne nuk do të ndërmjetësojmë

BE : Nuk kemi ftesë për takimin me VV-në dhe LDK-në

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.