drejtesia , KGJK
KGJK

Kurti e Konjufca ftohen si dëshmitarë për kallëzimin penal ndaj Thaçi e Veselit

Në korrik të këtij viti, Albin Kurti, kishte ironizuar me Prokurorinë duke imagjinuar një telefonatë nga ky institucion, që e ftonte atë bashkë me Glauk Konjufcën lidhur me një kallëzim penal që e kishin dorëzuar.

Kjo nuk ishte hera e vetme që Kurti ia kishte rikujtuar Prokurorisë mungesën e veprimeve për pretendimet që i kishin ngritur ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, raporton KTV.

Pas gati 5 muajsh, Kurti e Konjufca janë ftuar me ftesa të rregullta që të paraqiten të mërkurën në Prokurorinë Themelore të Prishtinës si dëshmitarë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pritet të paraqitet në Prokurori në orën 9, e dy orë më vonë Konjufca.

Vepra penale e shkruar në ftesë me kodin 383, është deklarim i rremë nën betim, çka zyrtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se Thaçi e Veseli e kanë bërë gjatë dëshmisë së tyre në rastin “Syri i Popullit”.

Në këtë rast, Thaçi e Veseli, kishin pretenduar se prapa organizatës “Syri i Popullit” qëndrojnë Kurti e Konjufca.

Sipas Kodit Penal, për këtë vepër parashihen dënime me gjobë e deri në 5 vjet burgim.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, i ka konfirmuar KTV-së se aktualisht, nuk ka ftesa të tjera për këtë rast, pos atyre dërguar dy zyrtarëve të lartë nga Vetëvendosje.

Përndryshe rasti që njihet si “Syri i Popullit”, ende nuk ka marrë epilog në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe pritet që disa prej të akuzuarve, të japin fjalët përfundimtare në seancat e caktuara për 16 e 17 janar të vitit të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.