rektorati, up, studentet, doktorata

Kur do të fillojë viti akademik për brucoshët

Viti i ri akademik nuk do të fillojë me 1 tetor për studentët e vitit të parë, por vetëm për studentët e viteve vijuese, krejt kjo për shkak se ende nuk ka përfunduar procedura e regjistrimit të studentëve të rinj të Universitetit më të madh publik, atij të Prishtinës.

Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare, prorektori për mësim dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Hysen Bytyqi, thotë se mësimi për studentët e vitit të parë mund të fillojë nga 15 tetori.

Bytyqi thotë se vonesa për fillimin e vitit të ri akademik për studentët e vitit të parë po ndodh për shkak të vonesës në hapjen e konkursit si rrjedhojë e shtyrjes së mbajtjes së Testit të Maturës.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” konkursin për pranimin e studentëve të rinj e ka hapur me 21 shtator dhe do të qëndrojë ashtu deri me datën 30, ndërsa testet pranuese do të mbahen nga 2 deri me 6 tetor.

“Për fat të keq për shkak të pandemisë afati i parë i regjistrimit të studentëve i cili ka qenë i zakonshëm të mbahet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut nuk ka ndodhur pikërisht për shkak të pandemisë. Për shkak të pandemisë Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shtyrë mbajtjen e Testit të Maturës që është mbajtur këtë vit me 29 gusht dhe formula e regjistrimit të studentëve tek ne është 30 përqind e pikëve vijnë nga Testi i Maturës. Kështu që, një gjë të tillë ne s’kemi mundur në asnjë mënyrë ta organizojmë. Si pasojë e kësaj ka ardhur deri tek vonesat të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë janë vonuar me fillimin e vitit akademik, i cili me ligj duhet të fillojë me datë 1 tetor”, thotë ai.

Megjithatë, ai bënë të ditur se më 1 tetor do të fillojë viti akademik për studentët e vitit të dytë dhe të tretë.

Bytyqi potencon se ndonëse vitin do ta fillojnë me vonesë, studentët e vitit të parë nuk do të humbin asnjë orë të mësimit.

“Me datë 1 tetor përsëri fillohet nëpër njësi akademike në vitet tjera, pra për vitin e parë jo, bachelor gjithsesi nuk do të ketë vit të parë me 1 tetor edhe për master e doktoratë. Vlen të përmendet se senati i ka debatuar të gjitha këto dhe deri më tani kemi qenë në pritje të konferencës së rektorëve apo një rekomandimi nëse mund të jetë edhe vendim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të cilët do të kishin dal me një deklaratë se viti akademik duhet të fillojë me këtë datë. Deri më tani nuk ka ndodhur përveç një kërkese të Konferencës së Rektorëve të cilët kanë kërkuar apo të cilët kanë biseduar që viti akademik të fillojë me datën 15 tetor. Unë mendoj që me këtë datë mund të fillohet, ajo çka vlen të theksohet është se studentët e regjistruar nuk do të humbin asnjë orë, sepse njësitë akademike edhe me menaxhmentin…do të zhvillojnë oraret e tyre në mënyrë të tillë që asnjë orë të mos humbet”, thotë ai.

Mësimi në institucionet e arsimit të lartë për shkak të pandemisë do të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, kur provimet do të mbahen në ambientet e fakulteteve ndërsa ligjëratat online.

“Është një pajtueshmëri e përgjithshme, një diskutim i gjatë i cili është realizuar në senat dhe në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, vendimit të qeverisë e disa vendimeve të tjera të cilat gjatë procesit janë ndërmarrë që mësimi kryesisht të vazhdojë të zhvillohet online. Por, Universiteti i Prishtinës ka programe të tilla të cilat nuk mund të gjitha t’i zhvillojë online dhe një pjesë e punës praktike aty ku pedagogët dhe njësitë akademike konsiderojnë që është e nevojshme do të organizohet edhe mësim fizik, që nënkupton prezencën fizike të studentëve dhe të pedagogëve. Natyrisht në ato lëndë do të ketë më pak dhe numri i studentëve nëpër grupe do të jetë shumë më i vogël”, thotë Bytyqi.

Prorektori Bytyqi thotë se janë të vetëdijshëm që mësimi fizik nuk e zëvendëson forma online, por që thotë se ky modifikim mund të vazhdojë të përdoret edhe në të ardhmen.

“Jemi të vetëdijshëm që mësimin fizik nuk e zëvendëson forma online, por ky modifikim në të ardhmen do të shërbejë jashtëzakonisht shumë ne dhe gjithë botës, sepse konsideroj që disa gjëra edhe kur të kalojë pandemia, unë uroj që të kalojë sa më parë, do të jenë në funksion dhe tashmë një pjesë e konsultimeve nuk do të ketë nevojë të shpenzohet kohë dhe mund dhe mjete materiale nga studentët por të jetë kontakti drejtpërdrejtë përmes komunikimit online”, thotë ai.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për pranimin e 6 mijë e 638 studentëve në 14 njësi akademike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.