Ballina / Kulturë / Kullat shqiptare!

Kullat shqiptare!

Kullat shqiptare janë objekte monumentale që paraqesin një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore, ndërtimi i të cilave daton që nga fillimi i shekullit të XVIII. Tipi i shtëpive dy apo tre katëshe, të ndërtuara nga gurët e gdhendur, përveç që kanë kryer funksionin e objekteve të banimit, ato kanë pasur edhe rol mbrojtjes prej sulmeve nga jashtë, si dhe karakterizoheshin edhe për nga bujariadhe mikpritja. Padyshim që mikpritja shqiptare është unike në rruzullin tokësor dhe ajo asnjëherë nuk mund të kuptohet pa kullën.

 Shkruan: Leonorë MAKOLLI/ Info Globi

-Kullat janë ndërtime karakteristike të arkitekturës popullore, numri i të cilave tregon përhapjen që ka pas ky lloj ndërtimi në të gjitha shtresat e popullsisë. Këto tipe të shtëpive të stilit të fortifikuar, kanë pasur rol të shumëfishtë, por roli mbrojtës ishte kryesori, kuptohet në kohët e mëhershme. Ky karakter mbrojtës përveç atij banues, kuptohet nga vet forma e ndërtimit, e mbyllur, e materialit masiv prej guri, me frëngjitë e shumta përgjatë murit të kullës.

-Të ngritura mbi shkëmbij malesh dhe në kushtet e terrenit të thyer malor, mbetën minikështjella, praktike dhe tepër manovruese për jetën e antarëve të familjës. Gurët e këtyre kullave kanë qenë të përzgjedhur për ndërtime të tilla, që me shumë zgjuarësi janë seleksionuar nga ndërtuesit e banorët, që i zotërojnë sot si pasuri të patundshme. Në këtë traditë ndërtimore, një vend të veçant zënë edhe materiali shkëmbor guror, që e përbën tërësisht banesën e banorëve.

-Kullat tipike janë ato me nga një mjedis në çdo kat, duke u shumuar më vonë numri i mjediseve, veçanërisht në të dy katet e banuara. Kati i parë i kullës shfrytëzohej për të strehuar bagëtinë, ndërsa katet e sipërme shfrytëzohen për banim. Në kate ngjitesh me shkallë druri, të cilat në disa raste përbëhen prej një trungu të vetëm të dhëmbëzuar në formë shkalle. Dhomat e banimit janë të mobiluara thjesht, me orendi të punuara me dru dhe të gdhendura me motive floreale gjeometrike ose të kombinuara. Në faqën kryesore të dhomës, përballë shkallës, vendoset oxhaku karakteristik me përmasa të mëdha. Në përgjithësi, këto ambiente janë të errëta dhe ndriçohen vetëm nëpërmjet dritareve të vogla dhe frëngjive të mbrojtjes, të cilat lihen në të katër anët. Nëpërmjet frëngjive, malësorët janë mbrojtur nga armiqtë (hasmi) dhe siguronin jetën e gjithë pjesëtarëve të tjerë të familjës, gjatë kohës së gjaqeve ose sikurse thuhet ndryshe gjatë gjakmarrjeve. Gratë dhe fëmijët ndihmonin meshkujt e familjës me fishekë ose mbushnin armët me barut, të cilët i përdonin burrat në luftën mbrojtëse të tyre kundër armiqve.

-Pjesë karakteristike e kullës është edhe dyshekllaku, ajo ka shërbyer për vendosjen e dyshekëve, jorganëve dhe gjërat që zakonisht janë përdorur për oda, por në raste kur ka pasur mysafirë në odë, dikush i shtëpisë ka fjetur në dyshekllak, për t’i ofruar siguri maksimale mysafirit. Dyshekllëku prej druri i jep kullës një pamje impozante.

-Pjesët tjetra karakteristike të kullës janë edhe divahanja dhe dhoma e miqëve ose oda e burrave. Odat luanin rolin e një institucioni juridik, shoqërorë e politik. Aty u mbajtën tubime të ndryshme me rëndësi për tërë shqiptarinë. Në oda kultivohej mençuria dhe  filozofia e thellë e popullit, si dhe atdhedashuria, ato ishin sinonim i lirisë. Pikrisht për këtë, ato gjithëherë ishin në shënjestër dhe u sulmuan nga pushtuesit tanë barbarë, shumë nga to u rrënuan nga armiqët, por u ngritën sërish.

-Në odën e burrave pas darke ishte traditë të luhej “loja me kapuça”. Të gjithë kanë nga një kapuç, ai që ka radhën do të fsheh një objekt të vogël poshtë kapuçit dhe të tjerët duhet ta gjejnë.

-Varur në mur në odën e burrave është çiftelia dhe lahuta. Pothuajse çdo natë burrat këndonin dhe luanin muzikë me këto vegla muzikore.

-Gratë nuk hynin asnjëherë në odën e burrave. Edhe kafenë e sillnin deri te dera, dhe më pas e merrte një burrë tabakanë dhe i shërbente kafenë mikut.

-Miku i njohur apo i panjohur (thjesht i ka rënë rruga andej) nuk del nga kulla pa ngrënë. “Bukë e kripë e zemër të bardhë” -citon i zoti i shtëpisë në të tilla raste.

-Kulla si tip banese, dallohet nga banesat e tjera për karakterin dhe funksionin e saj mbrojtës. Për këto kulla, të ngritur gjatë shekujve nga paraardhësit tanë, kanë shkruar shumë autorë vendas dhe të huaj. Ata kanë përshkruar pikësëpari, emrin dhe lavdinë e pashoqe, që kanë pasur kullat shqiptare. Ata theksojnë se gjithmonë këto kulla trimash, kanë pasur djem azgana, shtatlartë, sypatrembur, njerëz të pushkës e të besës, heronj legjendar, luftëtarë e udhëhqës kryengritjesh, bijtë trima të cilët asnjëherë nuk janë tërqehur nga fusha e betejës.

-Kullat sot po ngjallin kureshtjen e turistëve posaçërisht të huaj, të cilët i vizitojnë në sezonet turistike. Disa prej banorët të disa zonave, duke ua ditur mirë vlerat kullave, ato i kanë përshtatur dhe i kanë kthyer në hotele, ku të gjithë vizitorët mund të kalojnë pushimet në këto kulla. Gjithashtu, një numër i konsideruar i kullave që sot janë të pa banuara, shërbejnë ose janë kthyer në shtëpi muze dhe posedojnë orendi origjinale.

-Duhet theksuar se gjatë viteve 1998-1999 nga forcat serbe janë shkatërruar ose dëmtuar 826 kulla në tërë territorin e Kosovës. Nga i gjithë sfondi i kullave si objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare në Kosovë që kanë mbijetuar kohën dhe luftën, në gjendje funksionale sot janë vetëm një përqind e tyre. Disa prej tyre u ndërtuan nga donatorë, disa të tjera nga institucionet e Kosovës, disa nuk u rimëkëmben kurr, përderisa disa të tjera në shenjë dashurie dhe respekti ndaj vlerave trashëgimore u rindërtuan me kontributin e vet pronarëve.

@Fluidi

Provo po ashtu

frika feja kontrolli

Arsyet pse njerëzit krijuan fenë dhe mitet

A ka gjë që frika nuk e arrin dot? Që nga provokimi i luftërave dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.