fbpx
Haradinaj

Kthjellet Haradinaj: Të shtënat janë traditë e vjetër, por nuk na bëjnë nder

“E kam përmendur edhe në një intervistë se qitja me armë është traditë shqiptare, me të vërtetë është traditë e hershme shqiptare, por kjo nuk na bënë nder. Le të kursehemi, të mos ketë incidente tjera”, tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt të mërkurën.

Haradinaj madje ka apeluar qytetarët që të mos gjuajnë me armë zjarri për festat e Vitit të Ri.

Kohë më parë, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ish-kreytari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe këshilltari i zëvendëskryeministrit Limajt, Endrit Shala, janë regjistruarnga kamerat teksa po gjuanin me armë për ta kremtuar kështu shpalljen e pafajësisë së Limajt nga akuzat për korrupsion.

Haradinaj ka hezituar të distancohet nga sjelljet e tilla të kundërligjshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për ndërtimin e shtetit ligjor që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në vend që të distancohet nga to, ai kishte pranuar publikisht se edhe vet ka gjuajtur me armë gjatë ahengjeve.

“… të jem i sinqertë, edhe unë ‘qes’. Më ka ndodhë në Dukagjin ‘kanunqe’… Ta sjell i zoti i shtëpisë armën , dhe ti gjuan. Nuk dihet, mund ta fusim një ditë edhe në ligj ndoshta , që në raste gëzimi të lejohet përdorimi i armëve”, kishte deklaruar Haradinaj.

Megjithatë pas presionit të pyetjeve të gazetarit ai ka treguar shenja mospajtimi me këtë fenomen, por përgjigja e tij ishte konfuze dhe jo e qartë.

“Nuk është gjest i mirë prej një ministri… Më ka ndodhur në një aheng kur i zoti i shtëpisë më ka thënë se ma ke nderuar truallin e konakun dhe ma ka dhënë armën dhe kam gjuajtur… Më ka thënë se këtë armë e kam të bekuar që e preku dora juaj… Çka të bësh… nuk është mirë… është shkelje ligjore sikur kur e tejkalon shpejtësinë me veturë, por ndodh kjo në Kosovë” kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky konfuzion e qëndrim dualist i Kryeministrit në raport me armët kishte shokuar mediat, të cilat janë mobilizuar madje edhe në përgatitje emisionesh speciale të karakterit edukativ, ku për pasojat e armëve kanë folur familjarët e atyre që kanë humbur jetën për shkak të plumbave “festiv”. /infoglobi/v

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.