Kryeministri japonez në Pearl Harbour: Të mos përsëriten krimet

Kryeministri japonez Shinzo Abe vizitoi bazën detare amerikane në Pearl Harbor, ku i ofroi ngushëllimet e tij të sinqerta viktimave të sulmit japonez ndaj bazës, 75 vjet më parë.

Ai tha se nuk duhen përsëritur kurrë më tmerret e luftës dhe se populli japonez është betuar solemnisht për këtë. Abe shoqërohej në këtë vizitë historike nga presidenti amerikan Barack Obama.

Bombardimi ajror japonez shkatërroi pjesën më të madhe të bazës në vitin 1941, duke vrarë mbi 2300 ushtarë amerikanë. Abe bëri homazhe për njerëzit që u vranë në bazën detare, shumë prej të cilëve janë ende të varrosur brenda anijes Arizona, e cila u mbyt nga silurët japonezë. Abe tha se betimi i palëkundur i popullit japonez për paqe i kushtohet ushtarëve që prehen brenda Arizonës, popullit amerikan dhe gjithë botës.

Abe përgëzoi SHBA për përpjekjet për të riparuar raportet pas luftës mes dy vendeve, luftë që përfundoi kur SHBA hodhi dy bomba atomike mbi Japoni. Sipas Abes, aleanca mes SHBA dhe Japonisë është një aleancë shprese. Në të njëjtin kuadër, presidenti amerikan Barack Obama tha se mirëpret kryeministrin japonez, ashtu si Japonia e ka mirëpritur atë vetë disa herë.

Abe është lideri i parë japonez që viziton memorialin e anijes Arizona, ku ai dhe Obama vendosën kurora me lule. Dy liderët u lutën për të vdekurit, por, siç pritej, Abe nuk kërkoi falje për sulmin. Ky sulm ndaj Pearl Harbor futi në Luftën e Dytë Botërore superfuqinë amerikane, diçka që shumë ekspertë thonë se i ndryshoi faqen konfliktit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.