Krijohet ekipi i ekspertëve per dialogun , pritet të emërojë edhe koordinator

Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë. Zëvëndëskryeministri Driton Selmanaj tha se ky organ do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe se detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe Qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.

“Këshilli do të përgatisë raporte dhe dokumente për pozicionin e Kosovës në dialog”, tha Selmanaj.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën.

Pas themelimit të Këshillit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të emërojë koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për dialog.

Në hapje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme për të rifilluar këtë proces. Ai tha se tema kryesore në dialog duhet të jetë njohja reciproke.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Barrierat tregtare janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!