Kosovë: Suspendohet polici që e rrahu të riun

Një polic i Kosovës është suspenduar për shkak të rrahjes se të riut Gëzim Rrustemi në fshatin Novolan të Vushtrrisë, pasi që dyshohet se ka marrë pjesë në rrahjen e tij të ndodhur dje.

Rastin për Veru.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka treguar se është iniciuar rasti për lëndim dhe privim të jashtëligjshëm nga liria ndaj një polici i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe vëllait të tij.

“Sipas një version thuhet që i rrahuri ka bërë ngacmim verbal të një femre, ndërsa dyshohet që polici i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare së bashku me vëllain e tij, e ka futur viktimën në oborr të tyre dhe e kanë rrahur. Polici dhe vëllai i tij janë ndaluar në mbajtje prej 48 orësh, me ç’rast polici është suspenduar nga detyra për 48 orë nga komandanti rajonal i policisë”, tregon zëdhënësi Zahiti.

Sipas tij polici i përfshirë në rrahje e të riut ka punuar në Vushtrri, ndërkaq për përfshirjen e tij në këtë rast thotë se policia e ka kuptuar tek pesë ore pas raportimit të rrahjes.

“Policia deri në këtë fazë e ka kryer punën e saj, ndërkaq tani rasti për policin është duke u trajtuar nga Inspektorati Policor”, thotë Zahiti./Infoglobi/