Kosovë, Prodhimi i maskave 3D për të ndihmuar institucionet kundër koronavirusit

Përdorues të teknologjisë tredimensionale në Kosovë janë përfshirë në prodhimin e maskave mbrojtëse për personelin mjekësor, por edhe të tjerët që janë pjesë e luftës kundër koronavirusit.

Kjo nismë e hedhur nga profesori i fakultetit të Inxhinierisë mekanike, Shaban Buza dhe e bija synon të lehtësojë furnizimin me pajisje mbrojtëse për institucionet e Kosovës.

Profesori Buza thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës përmes Skype-it se ideja për të prodhuar maska mbrojtëse u hodh që nga fillimi i muajit mars ende pa u përhapur virusi në Kosovë e Shqipëri.

“Ne i kemi disa pika që shtypin në Kosovë, do të thotë ka në Prishtinë, Drenas, Mitrovicë, Pejë e në Gjakovë dhe në këtë mënyrë ne kemi krijuar një grup i cili punon në mënyrë të vazhdueshme, normal në kushte çfarë jemi dhe nuk është ky një prodhim industrial por është një prodhim le të themi në baza ditore shtëpiak ose në një studio ose në një zyrë mirëpo me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe po zgjerohet çdo ditë dhe mund të them sot e bëra edhe dhurimin e katërt faktikisht qysh se ja kemi filluar dhe ne sot pothuajse i kemi një javë që kemi filluar”, tha ai.

Zoti Buza thotë se deri më tash kanë dorëzuar më shumë se 200 maska tek institucionet që po përballen drejtpërdrejt me këtë virus.

“Ku 140 të parat janë dorëzuar barnatores qendrore që gjendet në QKUK (Qendra klinike dhe universitare e Kosovës) dhe pastaj kemi vazhduar, krejt këto në bazë të rekomandimeve, me komunën e Prishtinës pasi që komuna e Prishtinës e menaxhon edhe qendrën e mjekësisë familjare qendrore ku është ajo tenda dhe ku kanë filluar të mbledhin mostrat për të bërë testin dhe po ashtu e menaxhojnë edhe qendrën e studentëve atje ku është karantinimi, atje dorëzuam 50 maska dhe 25 maska ju dorëzuam vullnetarëve që punojnë në qendrën e studentëve me të cilët qëndrojnë 24 orë”, tha zoti Buza.

Profesori Buza thotë se kjo maskë përdoret për mbrojtje të linjës së dytë për spitale.

“Pse për spitale sepse secili prej mjekëve ose infermierëve mund ta ketë maskën që mbulon gojën dhe hundën mirëpo këtë maskë mund të vendosë mbi atë dhe në këtë mënyrë do të thotë mbrohet nga ato pika të pështymës, teshtitjes ose të tjerat që është rreziku më i madh që të merret ky virus, pse, kemi dëgjuar gjithmonë edhe në qoftë se janë duart e ndotura ju mund ta hiqni atë në qoftë se i lani qoftë me alkohol ose me sapun në një kohë deri 30 sekonda së paku, mirëpo nëse rastësisht e prekni fytyrën, hundën, ballin ose syrin do të thotë atëherë është rreziku që ai do të futet brenda në organizëm edhe do ta filloj ta bëj punën e tij le të themi të ndyta, asisoj edhe të na infektojë”, tha ai.

Aktualisht mundësitë e prodhimit të maskave tredimensionale sipas profesorit janë nga 40 deri në 50 të tilla në ditë.

Që nga mesi i muajit mars, Kosova po përballet me virusin COVID-19 dhe për këtë janë ndërmarr masa të shumta nga institucionet publike për të parandaluar përhapjen e madhe të tij.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, tha se ka kryer afër 1 mijë e 900 teste dhe deri tani 145 veta janë konfirmuar si të prekur nga koronavirusi, një pacient ka humbur jetën, ndërsa 23 janë shëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.