Kosovë : Ngjarjet që shënuan vitin 2019

Kosova mbylli vitin më një skenë ndryshe politike nga e kaluara. Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, të katërtat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

Që pas zgjedhjeve ajo hapi negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës për themelimin e institucioneve të reja. Më 26 dhjetor parlamenti i ri u mblodh për herë të parë dhe ndryshe nga ç’pritej në postin e kryetarit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse që nga përfundimi i zgjedhjeve në negociatat për bashkëqeverisje është thënë se posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike.

Të dyja partitë kishin shkëmbyer oferta dhe kundër oferta për themelimin e institucioneve ku “mollë sherri” ishte shfaqur posti i presidentit të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon t’i takojë asaj në vitin 2021.

Më 25 dhjetor në mbrëmje, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social facebook, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën e fundit të partisë së tij.

“Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitetet”, tha zoti Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha më 26 dhjetor, se “marrëveshja duhet të përfshijë ndarjen reciproke të pushtetit, pesë ministri për Vetëvendosjen dhe pesë për LDK-në. Posti i kryeministrit për Vetëvendosjen, kurse i zëvendëskryeministrit të parë për LDK-në. Kurse kryetari i Kuvendit dhe posti i presidentit, duhet t’i besohen LDK-së”.

Në shkëmbim, ai tha se Vetëvendosje pastaj më 2021, kur do të zgjidhej presidenti, do të merrte edhe një ministri.

“Nëse lëvizja Vetëvendosje nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë, atëherë unë deklaroj që LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha përgjegjësitë institucionale. LDK shpreh gatishmërinë që të votojë pa asnjë kusht qeverinë e lëvizjes Vetëvendosje”, tha zoti Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje shpreson që të rifilloj negociatat me Lidhjen Demokratike gjatë muajit janar, por zhvillimet e fundit kanë lënë shumë pikëpyetje rreth këtyre negociatave.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse. Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi aktualisht ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional, apo edhe për të shmangur mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje, në vend që të gjejë një zgjidhje.

Gjykata e Posaçme dhe skena politike

Zgjedhjet e parakohshme pasuan dorëheqjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj i cili u thirr në Hagë për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falënderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci. Nderi i kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, tha ai atëbotë.

Zoti Haradinaj u paraqit në prokurori më 24 korrik dhe shfrytëzoi të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Po të njëjtën ditë në Hagë ishte edhe ish kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019. Intervistimet filluan më 14 janar kur atje u paraqit Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, i cili drejtonte Zonën Operative të Llapit, një rajon në veri të Prishtinës gjatë luftës në Kosovë.

“Sot përfundoi intervista me mua pranë Dhomës së Specializuar në Hagë. Unë isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Pyetjet kanë qenë shumë serioze dhe ne kemi qenë shumë seriozë në përgjigje. UÇK-ja më ka mbrojtur mua dhe unë nuk kam pasur nevojë ta mbroj UÇK-në”, tha në përfundim të intervistës zoti Mustafa.

Më 10 dhjetor atje u paraqit edhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Siç edhe kam premtuar publikisht, sot jam paraqitur për intervistim, Kam përfunduar intervistën. Vitet e 90-ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë. Një nënshtrim para Serbisë për pastrim etnik, do të thotë për gjenocid kundër popullit tonë. Ne ju kemi kundërvënë. Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë, UÇK-ja përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me pastrimin etnik të cilin ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të jemi bashkë të kalojmë edhe këtë sfidë. Kjo është e tëra”, tha ai.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, vepron në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, njëzet vjet më parë.

(Mos) bisedimet me Serbinë:

Ndonëse ishte thirrja në Gjykatën e Hagës për kryeministrin Ramush Haradinaj, që u bë shkas për dorëheqjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, mundësia për zgjedhje të reja ishte përvijuar edhe në marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës. Në vjeshtën e vitit 2018 qeveria e Kosovës u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave dhe kjo e bllokoi në tërësi procesin. Fillimi i vitit e gjeti Kosovën nën trysni të diplomacisë perëndimore për pezullimin e tarifave por kryeministri Haradinaj i rezistoi asaj. Kjo lëkundi marrëdhëniet brenda koalicionit për shkak të drojës së mund të dëmtohen marrëdhëniet e Kosovës e aleatët e saj e posaçërisht me Shtetet e Bashkuara.

Më 30 prill në Berlin kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron mblodhën udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane, ndikimet e jashtme në rajon, por, në qendër të diskutimeve, ishte çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por as aty nuk pati ndonjë përparim.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha atëbotë se “bisedimet duhet të jenë të pakushtëzuara”, ndërsa nënvizoi se nuk mund të ketë zgjidhje pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kam theksuar edhe në takim se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të arrihet një proces i dialogut, negociatave dhe marrëveshjes eventuale, historike për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë mbështetja e fuqishme dhe zotimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E theksoj edhe njëherë, mundësia më e mirë është që të respektohet substanca dhe korniza e letrës së presidentit Trump për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e vlerësoi takimin e Berlinit të rëndë për shkak të siç tha qëndrimeve shumë të ashpra të Prishtinës, ndërsa ritheksoi se heqja e tarifave ndaj mallrave serbe është i domosdoshme për rifillimin e bisedimeve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se takimi i organizuar prej tyre nuk ka të bëjë me marrje vendimesh.

“Asnjë marrëveshje nuk mund të bëhet në kurriz të të tjerëve, të cilët pastaj duhet të bartin pasojat”, tha kancelaria Merkel.

“Nuk kemi synim të japim recetën e zgjidhjes për Beogradin dhe Prishtinën, jo. Duam të shohim të gjitha mundësitë, të zbusim debatet dhe të përparojmë pa tabu dhe pa rritjen e tensioneve në rajon, sepse duam që të dyja palët të rifillojnë bisedimet”, tha presidenti Macron.

Deklaratat e të dy zyrtarëve të lartë qenë komentuar si shenjë e qartë e kundërvënies ndaj ideve për prekjen e kufijve, të cilat u hodhën verën e kaluar, duke nxitur ndarje në skenën ndërkombëtare por edhe në Serbi dhe në Kosovë.

Pak ditë më vonë kryeministri i Kosovës tha se është shumë me rëndësi që shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini nuk e ka në duar më procesin e bisedimeve.

“Faleminderit Zotit që kemi qëlluar disa në vend që t’i shohim këto projekte me kohë, nuk hiqet taksa. Mogherini e ka përfunduar mandatin e vet. Evropianët janë ata që ja japin rrogën Mogherinit sepse ata e paguajnë, është zyrtare e tyre, ata ja kanë larguar një herë këtë agjendë dhe na kanë bërë nder të madh si Kosovë, i falënderojmë shumë pastaj e vlerësojnë vet si të shkohet më tutje” tha zoti Haradinaj.

Ai nguli këmbë se tarifat mund të hiqen vetëm pas njohjes së ndërsjellë me Serbinë dhe qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojnë planet për një takim të ri në Paris të organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.

Ai shkëmbeu kritika në distancë edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama si dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e parlamentit Kadri Veseli rreth qëndrimeve të tyre ndaj tarifave ndaj mallrave serbe.

Zoti Veseli tha në një intervistë me Zërin e Amerikës në muajin korrik se tarifat ishin kundër-reagim ndaj politikës së Serbisë por nuk mund të përdoren si përgjigje dhe komunikim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne kemi koalicion, por kemi edhe dallimet tona konceptuale, të cilat, në formën si e shoh unë çështjen e tarifës dhe çështjen e dialogut. Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe Kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim. Kur flas për Serbinë, edhe 1000% ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, tha zoti Veseli.

Ne fund të muaji gusht dhe në fillim të shtatorit, Shtetet e Bashkuara emëruan dy të dërguar për çështjet në Evropën Juglindore. Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Mattheë Palmer u emërua i dërguar i posaçëm për Ballkanin, ndërsa ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell u emërua i dërguar i presidenti Donald Trump për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Të dy vizituan rajonin në përpjekje për të rifilluar bisedimet e ngecura dhe për të nxitur arritjen e një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sa më shpejt që është e mundur.

“Sa më shpejt që është e mundur, po e ndjejmë nevojën e urgjencës, se çdo ditë që kalon pa ndonjë zgjidhje është ditë e humbur, zhbllokimi i potencialit të plotë të dy vendeve, kërkon normalizim, kërkon pajtim, pra po, ne ndjejmë nevojën e urgjencës, nuk do të flas për ndonjë afat kohor përveç që asaj që ne kishim dashur që gjërat të lëvizin përpara shpejt, me nxitim duke pasur parasysh që diçka e rëndësishme duhet të arrihet”, tha zoti Palmer gjatë një vizite ne maujin nëntor në Kosovë.

Çështja e tarifave ishte pjesë e debateve edhe para por edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit gjatë të cilave pikëpamjet ishin nga më të ndryshmet. Një pjesë kërkonte “masa të ndërsjella” me Serbinë, ndërsa kryeministri Haradinaj ngulte këmbë në mbetjen e tarifave deri në njohjen e ndërsjellë.

Përvjetori i përfundimit të luftës në Kosovë

Në qershor Kosova u bëri pritje prej heronjsh ish presidentit amerikan Bill Clinton dhe ish sekretares së shtetit Madeline Albright, në një manifestim me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ndërhyrja e së cilës u dha fund mizorive të forcave serbe njëzet vjet më parë.

“Kam një fotografi në zyrën time në New York dhe është një fotografi në Prishtinë pas fundit të konfliktit, ku janë sekretarja Albright, gjenerali Clark, Tony Blair dhe unë. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetes se çka ka qenë qëllimi kryesor që ka arsyetuar përdorimin e forcës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova këtu para 20 vitesh, në një shkollë në Ferizaj, atë dite thash diçka që dëshiroj ta them edhe sot, 78 ditë të sulmeve ajrore nga NATO-ja mund ta kenë fituar këtë luftë por vetëm qytetaret qe ishin ne gjimnaz atë ditë dhe qytetarët tjerë të Kosovës mund ta fitojnë paqen. Njëzet vite më vonë mendoj se keni bërë një punë të mrekullueshme të arritjes së paqes dhe e di se në kohët e paqes më e rëndësishmja është të shihet se çka do të bëhet më tutje”, tha presidenti Clinton.

Në qendër të Prishtinës u zbulua edhe busti i zonjës Albright.

“Jam thellësisht e nderuar që jam këtu. Shpesh njerëzit më pyesin se cila është gjëja që më bën më së shumti krenare me veten nga të gjitha gjërat që kam bërë dhe unë gjithmonë them; Kosova, sepse ne patëm mundësinë të sigurohemi që njerëzit në Kosovë do të jetojnë në paqe”, tha zonja Albright.

Por, përvjetori i ndërhyrjes së NATO-s përjetohet ndryshe nga serbet dhe Beogradi. Dy zyrtarë te qeverisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb u shkarkuan dhe njëri u dënua me dy vjet heqje lirie për mohim të krimeve të luftës.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, nxiti një valë zemërimi në Kosovë me deklarimet e tij se masakra e Recakut ku 20 vjet më parë forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, ishte fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Madje ky qëndrim i presidentit serb u përmend edhe si një nga arsyet pse Kosova refuzoi të marrë pjesë në takimin e 21 dhjetorit në Tiranë të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për krijimin e një “Shengeni” ballkanik, një nismë e përbashkët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Mospjesëmarrja nxiti përplasje të pazakonshme në distancë ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.