Kosovë: Konfiskohen mbi 300 kilogramë drogë

Policia e Kosovës ka konfiskuar 312 kilogramë e 39 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe ka arrestuar nëntë të dyshuar të përfshirë në veprën penale ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Ferizaj, në vazhdën e luftimit të trafikimit të narkotikëve, ka zhvilluar një hetim tremujor në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj, për përfshirje në veprën penale, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273.1 të KPK-së, duke përdorur edhe masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, në kërkim të provave materiale dhe personave të dyshuar.

Operacioni i ndërmarrë me datën 25.04.2017 rreth orëve të pasdites ku janë përfshirë zyrtarë policorë nga Drejtoritë Rajonale: Gjakovë, Prizren dhe Gjilan ka rezultuar me konfiskimin e provave materiale, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në rast.

Në një konferencë për media të mërkurën, kapiteni Reshat Murseli, ka bërë të ditur se njësia anti-drogës këtë sasi të drogës e ka konfiskuar, pas një pune operative 3 mujore.

“Pesha e përgjithshme e tyre ka qenë 184 kg e 38 gram, janë konfiskuar në cilësi të provave material mjete të punës, vegla për paketim, shkuma, shtrëngues, bulona, skele dorëza pune dhe një peshore digjitale. Është konfiskuar edhe një veturë. Operacioni ka vazhduar sot në fshatin Bibaj në Ferizaj  dhe janë konfiskuar edhe 60 pako të dërrasave, të cilën një mostër të së cilës e kemi sjellë para jush, ku në brendi të së cilës kanë qenë marihuanë me nga 4 paketime të ndryshme, të mbështjella me qesë najloni dhe të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Secila prej tyre peshon 500 gram, pasha totale e tyre është  afërsisht rreth 128 kg”, ka thënë ai.

Kryeprokurori Shkuri Jashari tha se dyshohet edhe për sasi tjera të narkotikëve për të cilat është duke punuar njësiti anti drogë.

“Ky bashkëpunim ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë në koordinim me prokurorin e  Shtetit, kështu që ka rezultuar me sekuestrimin e një numri të konsideruar të narkotikëve në tri lokacione të ndara, në dy lokacione në Ferizaj dhe një lokacion në Krushë. Dyshohet se është edhe një sasi e konsiderueshme e narkotikëve në rajonin e Ferizajt, kështu që njësiti antidroge aktualisht është duke punuar në atë drejtim dhe besojmë që në bashkëpunim me prokurorinë do ta identifikojmë dhe zbulojmë edhe këtë sasi të narkotikëve”, ka thënë ai.

Në cilësi të provave materiale në fshatin Krushë e Madhe janë sekuestruar 14 tavolina në të cilat ishte e fshehur substanca narkotike e llojit marihuanë me peshë 184 kilogramë e 39 gramë, mjete të punës, vegla për paketim, shkuma, shtrëngues bulona, skele, dorëza pune dhe një peshore digjitale, kurse në fshatin Bibaj në Ferizaj janë konfiskuar 64 pako, ku në brendi të secilës prej tyre kishte marihuanë me nga katër paketime najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ku secila prej tyre peshon rreth 500 gramë. Pesha totale e tyre besohet të jetë rreth 128 kilogramë.

Po ashtu janë konfiskuar edhe një veturë VW- Touran me targa të Maqedonisë, një veturë Golf V, një veturë BMW-X-5, me targa vendore, një veturë Golf – 5 dhe 22 telefona celularë.

Ndryshe, personat e arrestuar janë:  A.L 1979,  R.H 1969,  F.G 1979 , A.M 1973 , V.B 1985,  G.A 1984, F.A 1977,  Z.A 1961 dhe R.M 1976.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.