Sivjet gjatë marsin kosovari 36-vjeçar kishte sulmuar me sëpatë kalimtarët e rastit në Stacionin Hekurudhor të Dyzeldorfit, Gjermani me ç’rast ka lënduar 8 persona, nga të cilët katër kishin pësuar lëndime të rënda në kokë.
Pas sulmit ai kishte ikur duke kërcyer nga një urë, duke rënë në rrugë, me ç`rast kishte pësuar lëndime serioze.
Ai ishte paditur për tentim vrasjeje të tetëfishtë por tash nuk e pret burgu, transmeton albinfo.ch.
Kosovari pritet të dërgohet në një klinikë psikiatrike të tipit të mbyllur, ku do të mbahet për një kohë të gjatë.
Kjo masë ndëshkimi i është shqiptuar pasi që prokuroria konsideron se personi që jeton në Wuppertal, krimin e ka bërë në një gjendje të një çrregullimi akut të shizofrenisë paranoide. Për këtë arsye ai nuk bart përgjegjësi penale por vazhdon të jetë i rrezikshëm për rrethin.
Gjykimi i tij në Gjykatën e Landit, në Dyzeldorf do të mbahet këtë javë.