Ballina / KRYESORE / Kosovarët në garë për NASA

Kosovarët në garë për NASA

Për herë të parë, një ekip nga Kosova synon çmim në garën prestigjioze të NASA – Space Apps Challenge.

Në mesin e 950 projekteve nga 133 shtete pjesëmarrëse në garën NASA Space Apps Challenge, ekipi NatEv nga Kosova ka hyrë në mesin e 15 projekteve me të votuara për çmimin “People’s Choice Award”.
Të dielën, më 3 maj, votat përcaktojnë pesë projektet finale, për të cilat mund të votohet deri më 8 maj, kur edhe shpallet fituesi.
NatEv Explorer është një platformë e bazuar në ‘web’, ku sinkronizohen të dhënat në kohë reale të satelitëve të NASA dhe bën klasifikimin e dukurive gjeologjike duke përdorur inteligjencë artificiale.
NatEv Explorer zgjidh sfidën e ashtuquajtur “Volcanoes, Icebergs and Cats from Space”. Kjo sfidë ka të bëjë me zbulimin e dukurive natyrore nga hapësira siç janë: erupsionet vullkanike, vërshimet, tornadot, çarjet e akullnajave, zjarret në pyje, aurorat etj.
Platforma i mundëson përdoruesve të kenë interaktivitet me një glob 3D, i cili i shfaq lokacionet e dukurive në kohë reale dhe disa informata mediatike për to. Përdoruesit e kanë mundësinë edhe ta eksplorojnë tokën duke përdorur imazhet satelitore të NASA-s.
Mbi 13 mijë garuesit kanë pasur mundësinë të zgjedhin njërën nga 25 fushat, të ndara në katër kategori: Gjithësi, Tokë, Robotikë dhe “Human”. Nikoqir i garës NASA Space Apps Challenge për Kosovë është Innovation Centre Kosovo (ICK).