Kosova, nikoqire e konferencës globale ndërfetare

Prishtinë. – Sot e nesër, më 28-30 maj, Kosova do të organizojë konferencën e 4-të ndërkombëtare ndërfetare në të cilën do të nxirren në pah roli, përvoja dhe kontributi i Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në debatin global mbi promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Konferenca e sivjetme e nivelit të lartë do të përfshijë prezantimet dhe fjalimet kryesore nga liderë botërorë fetarë, ministra dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, ndërmarrës, përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile me synim që të lëvizet nga debati publik drejt krijimit të mjeteve që do t’u shërbejnë brezave të rinj të aktivistëve socialë.

Në mesin e më shumë se 200 pjesëmarrësve në konferencë do të ketë edhe delegatë të rinj të cilët do të udhëtojnë nga vende të largëta si Afganistani, shtete të Amerikës e Jugut dhe Nigerisë për të shkëmbyer ide për mënyrat e luftimit të ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes në internet.

Kjo konferencë, e cila fillon sot, më 28 maj, dhe mbaron më 30 maj, do t’i bashkojë të rinjtë nga Kosova, Ballkani dhe komuniteti global për t’u takuar me krerë fetarë, diplomatë, juristë, gazetarë, udhëheqës të OJQ-ve, akademikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Në ngjarjen e titulluar Dialogu ndërfetar në kohën e medieve sociale: Jetësimi i agjentëve të ndryshimit, kundërvënia ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes, pjesëmarrësit do të shkëmbejnë përvojat dhe idetë e tyre për sfidimin e ekstremizmit në internet.