tirana2_1

Kosova e Shqipëria do t’i bashkojnë ambasadat

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar sot një plan i cili do të zbatohet duke bërë që Shqipëria dhe Kosova të kenë ambasada dhe seli konsullore të përbashkëta në të gjithë botën

“Duhet t’i japim fund historisë së shpenzimeve të paarsyeshme për të mbajtur seli diplomatike dhe përfaqësuese konsullore veç  e veç.  Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion për ndërtimin e një fondi imobiliar të përbashkët…kjo do u japë shqiptarëve një adresë”, tha ai.

Në takim është biseduar edhe për lehtësime të procedurave ndërmjet dy shteteve, si për biznese ashtu edhe për qytetarët.

“Është fjala për atë që e përmendët edhe ju kryeministër, pra që kalimin kufitar ta kthejmë në një kalim të zakonshëm që është mes vendeve të BE-së, pastaj që mos të kemi dyfishim të procedurave doganore në Durrës, që mos të kemi pengesa administrative për qytetarët tanë, sepse një diplomë apo një certifikatë nuk përputhet me tjetrën. Këto janë masa mëse të nevojshme, dhe është koha për to” , theksoi Haradinaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënvizoi se pas takimit është shpresëplotë për një përshpejtim edhe më të hovshëm të agjendës së përbashkët të dy qeverive. Duke përmendur pajtimin që kanë pasur në takim, Rama ka përmendur fillimisht mundësinë e lehtësimit të procedurave administrative për shtetasit që punojnë, studiojnë apo jetojnë në të dy anët e kufirit. Përveç kufijve si në vendet e Bashkimit Evropian, Rama ka përmendur edhe ekuivalentimin e diplomave dhe lehtësimin e aksesit në tregun e punës.

Pos kësaj, është biseduar edhe për unifikimin e tregut, duke nënvizuar se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë të jenë modeli që i paraprinë me shembullin e krijimit të zonës ekonomike rajonale.

Përveç bashkëpunimit për të përfituar bashkërisht nga Procesi i Berlinit dhe Fondet IPA, dy qeveritë u dakorduan në fillimin e uljes së shpenzimeve për të mbajtur seli diplomatike, seli përfaqësuese dhe konsullore të përbashkëta dhe jo veç e veç.

“Kemi folur për një Plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një Fondi Imobiliar Shqiptar në Evropë, duke filluar nga kryeqendrat e diplomacisë evropiane, për t’u shtrirë më pastaj pak nga pak më tej, një fond shqiptar imobiliar që do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve. Dhe njëkohësisht do t’iu jap shqiptarëve një adresë”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama ka risiguruar kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.