fbpx

Kosova e Serbia pa marrëveshje të re

Pa ndonjë marrëveshje të re përfundoi raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Të dyja palët folën për përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ne bisedime, veçanërisht zbatimin e marrëveshjes së drejtësisë dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjeve për organizatën e njohur si mbrojtja civile që vepron në veriun e Kosovës, tha shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

‘Palët shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet e pazgjidhura si energjia, telekomi dhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë kuadër ata u pajtuan për hapat konkretë që do të ndërmerren në periudhën deri në takimin e ardhshëm, thuhet në komunikatën e Mogherinit.
Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se takimi është shfrytëzuar për të përcaktuar rrjedhën e mëtejme të bisedimeve.

“Po punojmë që institucionet e Kosovës sa më shpejtë të veprojnë në plotësinë e tyre në pjesën veriore të vendit. Të gjendet zgjidhje për kodin telefonik, lëvizjen mbi urën e Ibrit, energjetikën. Të gjitha këto zgjidhje do të jenë në dobi të qytetarëve tanë, të të gjitha etnive, dhe ura që na lidhin me familjen evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Nga ana tjetër kryeministri serb tha se pret më shumë përparim deri në muajin maj kur pritet raundi i ri i bisedimeve duke u shprehur se palët janë pajtuar për të hapur edhe dy vendkalime kufitare: një në veri dhe një ne lindje të Kosovës.

Ai më tej theksoi se palët nuk janë pajtuar per krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa është diskutuar edhe mundësia e kthimit të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, të cilët u larguan në shenjë mospajtimi me shkarkimin e një ministri serb i cili mohoi krimet e luftës në Kosovë.

Më 9 shkurt të këtij viti është mbajtur takimi I fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë ku ishte arritur marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e vendit./infoglobi.info/