Ballina / KOSOVA / Kosova dhe Serbia nuk lëvizin nga pozicionet pas deklaratës së Quint-it

Kosova dhe Serbia nuk lëvizin nga pozicionet pas deklaratës së Quint-it

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Vendet e QKuint-it, përmes një komunikate, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, që siç thuhet, “është e nevojshme për të dyja vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”.

Ata theksojnë se një gjë të tillë, mund ta bëjnë vetëm kur palët të japin shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Por, Qeveria e Kosovës ende nuk i di kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.

Gjykata Kushtuese ende nuk i ka kthyer një përgjigje kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj lidhur me kërkesën për “definimin e kompetencave dhe funksionit të qeverisë, pas dorëheqjes së tij”.

Qeveria kërkon që dialogu të mos kushtëzohet

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, thuhet se sa i përket dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë, dhe “janë shprehur të gatshëm të ulen në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke”.

Sipas Qeverisë, ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht kryeministri Haradinaj gjithmonë ka punuar dhe ka qenë i qartë, në të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kësisoj, vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kemi marrë në konsideratë sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë sa i përket temave politike në vend”, thuhet në përgjigje.

Kërkohet ri-legjitimimi i institucioneve

Analistë të çështjeve politike në Prishtinë thonë se kërkesa e Kuint-it për vazhdim të dialogut, më shumë i drejtohet një qeverie të re që do të mund të dilte nga zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, sesa një kërkesë ndaj qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është në dorëheqje, pasi siç shprehen, Kosova para rinisjes së dialogut me Serbinë, duhet të ri-legjitimojë skenën politike.

Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova aktualisht është në një proces ku duhet të ketë një ri-legjitimitet të skenës politike.

“Është një qeveri në dorëheqje dhe kemi një seancë të paralajmëruar për javën e ardhshme për shpërbërjen e Kuvendit. Politikisht Kosova në skenën politike është në një situatë të tillë që duhet të ri-legjitimojë institucionet e saj në mënyrë që të shtyhet përpara qoftë procesi i dialogut, qoftë edhe proceset tjera, qoftë përmes një qeverie të re, qoftë përmes zgjedhjeve. Procesi i dialogut udhëhiqet nga kryeministri në koordinim me presidentin dhe nën mbikëqyrjen e Kuvendit dhe këto tri hallka duhet të jenë funksionale në mënyrë që të ecet përpara”, thotë Krasniqi.

Procesi i dialogut me Serbinë, shton Krasniqi, është një çështje urgjente për Kosovën në mënyrë që vendit t’i hapet perspektiva evropiane. Sipas saj, është me interes dhe pozitive që në reagimin e vendeve të Kuint-it flitet për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Çështja e dialogut me Serbinë është një nga çështjet kryesore që qeveria e re do të përballet dhe duhet të përmbyllet sa më parë, pavarësisht në çfarë mënyrë vjen. Ne e shohim që nuk ka gatishmëri të partive politike që të ketë formim të një qeverie të re në këtë mandat legjislativ, të gjithë kanë shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja, prandaj kjo vjen si një kërkesë që qeveria e ardhshme e Kosovës do të merret me çështjen e dialogut si një çështje urgjente për të përmbyllur këtë marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, thotë Krasniqi.

“Zgjedhjet, të pashmangshme”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një reagimi në Facebook, ka mirëpritur mbështetjen e vendeve të Kuint-it për vazhdimin e dialogut.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të parandalojë financimin e strukturave paralele në veri nga ana e Serbisë.

“Ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.